Lajme

Fluturimet në Evropë 30 herë më lirë se udhëtimet me tren, sipas Greenpeace


Në Evropë, fluturimet e lira dhe biletat e shtrenjta të trenit promovojnë forma “të pista” transporti.

Në këtë përfundim kanë dalë aktivistët teksa kanë theksuar se lehtësimet e taksave po inkurajojnë njerëzit të ngrohin planetin prej fluturimeve kur shkojnë me pushime.

Biletat e trenit janë mesatarisht dyfishi i çmimit të fluturimeve për të njëjtat linja, sipas një analize nga Greenpeace.

Aktivistët krahasuan biletat në 112 rrugë në nëntë ditë të ndryshme. Për të shkuar nga Londra në Barcelonë, ata zbuluan se kostoja e marrjes së trenit është deri në 30 herë më shumë se kostoja e fluturimeve me avion.

Destinacionet e pushimeve në të gjithë Evropën këtë javë janë pjekur në nxehtësinë vdekjeprurëse të bërë më të nxehtë nga gazrat serë të çliruar nga djegia e lëndëve djegëse fosile.

“Biletat e linjës ajrore prej 10 euro janë të mundshme vetëm sepse të tjerët, si punëtorët dhe taksapaguesit, paguajnë koston e vërtetë”, ka thënë Lorelei Limousin, një aktiviste për klimën në Greenpeace.

“Për hir të planetit dhe njerëzve, politikanët duhet të veprojnë për ta kthyer këtë situatë dhe për ta bërë trenin opsionin më të përballueshëm”, ka theksuar ajo.

Fluturimi është një nga aktivitetet më ndotëse që mund të bëjë një person dhe gjithashtu një nga më të vështirët për t’u pastruar.

Ndryshe nga ngrënia e një hamburgeri ose drejtimi i një makine – të cilat kanë alternativa më të pastra si mishrat me bazë bimore dhe automjetet elektrike – nuk ka asnjë mënyrë për të fluturuar pa ndryshuar klimën.

Ndaj dhe ekspertët kanë kritikuar si të meta skemat që pretendojnë të kompensojnë emetimet nga fluturimi.

Aktivistët e Greenpeace zbuluan se udhëtimi me tren ishte më i shtrenjtë se fluturimi, mesatarisht, në 79 nga 121 rrugët që ata studiuan.

Gjysma e trenave u konsideruan “të shkëlqyer” për të pasur lidhje të rregullta dhe të besueshme, një shpejtësi të mirë dhe bileta nën 150 euro.

Linjat më të mira përfshijnë Lisbonë-Porto dhe Madrid-Barcelona për udhëtime të brendshme, dhe Berlin-Pragë, Cyrih-Vjenë dhe Pragë-Budapest për udhëtime ndërkombëtare.

Sakaq, asnjë nga linjat kryesore ndërkombëtare të trenave nuk përfshinte Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Spanjën apo Italinë.

Në Evropë, linjat ajrore nuk paguajnë taksa për vajgurin dhe pak taksa për biletat ose TVSH-në.

Emetimet e tyre vlerësohen vetëm për fluturimet brenda Evropës – në një nivel nën koston sociale të karbonit.

Industria e aviacionit është përgjegjëse për rreth 2.5 për qind të ndotjes globale të karbonit, por lëshon gazra të tjerë që ngrohin më tej planetin.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, një organizatë me bazë në Paris, e udhëhequr nga ministrat e energjisë të vendeve kryesisht të pasura, u ka bërë thirrje politikëbërësve që “të taksojnë aviacionin sipas ndikimit, duke pranuar se vetëm një pakicë e botës fluturon”.

Gjithashtu ka rekomanduar që ato të rrisin karburantet e qëndrueshme të aviacionit.

Greenpeace kërkoi që qeveritë të prezantonin “bileta kombëtare, të thjeshta dhe të përballueshme për klimën”.

Aktivistët kërkuan gjithashtu heqjen graduale të subvencioneve të linjave ajrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore