Kosova

Flamuri i Sanxhakut në Zyrën e Kryeministrit, Petkoviç: Kurti mendon se është hero, por para Vuçiçit shfaqet si një gocë e vertetë


Albin Kurti dhe Sulejman Uglanjin

Një fotografi e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku shihet së bashku me kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik të Sanxhakut (SDA), Sulejman Ugljanin, duke mbajtur flamurin e Sanxhakut në duar, nuk i ka pëlqyer aspak Petar Petkoviçit, drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, i cili e ka fyer kreun e ekzekutivit kosovar.

Korrieri kryesor i propagandës serbe, derisa ka shpërndarë fotografinë e kryeministrit Kurti me flamurin e Sanxhakut në duar në platformën “X”, ka pandehur se shefi i Qeverisë së Kosovës mendon se po bënë “akte heroike” duke e shpalosur flamurin e Sanxhakut, por sipas tij, kur flet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shfaqet si një “gocë e vërtetë”.

“Kurti e ka ngulitur në kokën e tij se ai është hero kur shpalosë të ashtuquajturin flamur të Sanxhakut, por në fakt është një gocë e vërtetë kur flet me presidentin Vuçiç në Bruksel. Separatisti Kurti nuk duhet të ushqejë dëshirat e politikanëve të dështuar nga Novi Pazari, sepse ai nuk e di se si është të luash me zjarrin”, ka shkruar Petkoviçi të shtunën.

Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, pas pakënaqësive me statusin e tyre në përgjithësi, posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë të Sanxhakut dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ata vizitojnë shpesh Zyrën e Kryeministrit në Prishtinë.

Ata kanë kërkuar gjithashtu që çështja e pakicave etnike në Serbi të përfshihet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), duke vlerësuar se minoriteti serb në Kosovë po privilegjohet, kurse ai boshnjak dhe shqiptar në Serbi po poshtërohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore