Shqipëria

Flamur Noka kallëzon kryebashkiaken e Roskovecit në SPAK


Deputeti demokrat Flamur Noka kallëzoi penalisht të martën e 9 majit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufin.

Sipas Nokës kallëzimi është bërë për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Ai vëren se administratorja e kësaj bashkie “ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike”.

Kjo, për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.

Në përmbyllje, Noka kërkon nga Struktura e Posaçme, “regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj shtetases së kallëzuar, kryetares në detyrë të bashkisë Roskovec, Majlinda Bufit”.

Më herët, Bufi gjendej mes kryebashkiakëve të gjobitur nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Kjo, pasi kishte përdorur për qëllime elektorale faqen zyrtare të “Facebook-ut” të bashkisë që drejtonte.

Më herët, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi kishte kërkuar që 20 kryebashkiakë të gjobiteshin me një gjobë prej 30 mijë lekësh.

Të 15-të kryebashkiakët, përfshirën Bufin, u gjobitën në masën prej 100 mijë lekësh, bëri me dije KAS-i.

Mes kryebashkiakëve të tjerë të sanksionuar ishin: Arif Tafani, Kryetar i Bashkisë Belsh, Andi Salla, Kryetar i Bashksë Cërrik, Armando Subashi, Kryetar i Bashkisë Fier, Gledian Llatja, Kryetar i Bashkisë Elbasan, Redjan Krali, Kryetar i Bashkisë Kavajë, Klement Ndoni, Kryetar i Bashkisë Këlcyrë, Erion Isai, Kryetar i Bashkisë Kolonjë.

Edhe Safet Gjici, Kryetar i Bashkisë Kukës, Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë ashtu edhe Eriselda Sefa, Kryetare e Bashkisë Lushnjë u sanksionuan të hënën nga KAS.

Kryebashkiakë të tjerë të gjobitur janë edhe Qerim Ismailaj, Kryetar i Bashkisë Mallakastër, Nuri Belba, Kryetar i Bashkisë Përrenjas, Pali Kolevski, Kryetar i Bashkisë Pustec, Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec dhe Elton Arbana, Kryetar i Bashkisë Shijak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore