Lajme

Fjalori zyrtar suedez tanimë i përmbyllur pas 140 vitesh


Regjistrimi përfundimtar i gjuhës suedeze është përmbyllur pas 140 vjetësh.

Tanimë vëllimi përfundimtar i fjalorit është dërguar për t’u printuar javën e kaluar, ka thënë redaktori i tij.

Fjalori i Akademisë Suedeze (SAOB), ekuivalenti suedez i Fjalorit anglisht të Oxford-it, është hartuar nga Akademia Suedeze, e cila jep çmimin Nobel në letërsi dhe përmban 33 mijë e 111 faqe në 39 vëllime.

“Ka filluar në vitin 1883 dhe tani kemi mbaruar. Gjatë viteve, 137 punonjës me kohë të plotë kanë punuar në të”, ka thënë Christian Mattsson.

Pavarësisht arritjes kryesore, puna e tyre nuk është përfunduar ende plotësisht: vëllimet A deri në R janë tani aq të vjetra sa duhet të rishikohen për të përfshirë fjalë moderne.

“Një fjalë e tillë është ‘alergji’, e cila hyri në gjuhën suedeze rreth viteve 1920, por nuk është në vëllimin A sepse u botua në vitin 1893”, ka treguar Mattsson.

Ndërkohë, fjalë si “aplikacion” dhe “kompjuter” janë ndër 10 mijë fjalët që do të shtohen në fjalor gjatë shtatë viteve të ardhshme.

SAOB është një rekord historik i gjuhës suedeze nga viti 1521 deri në ditët moderne.

Është në dispozicion online dhe ka vetëm rreth 200 kopje të botuara, të përdorura kryesisht nga studiues dhe gjuhëtarë.

Akademia gjithashtu boton një fjalor të rregullt të suedishtes bashkëkohore.

Akademia Suedeze u themelua në vitin 1786 nga Mbreti Gustav III për të promovuar gjuhën dhe letërsinë e vendit dhe për të punuar për “pastërtinë, energjinë dhe madhështinë” e gjuhës suedeze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore