Sport

Fitoret më të thella të Kombëtares së Anglisë


Kombëtarja e Anglisë është një nga kombëtaret më të vjetra dhe më të mëdha të futbollit në botë. Ekzistenca e saj për një kohë të gjatë dhe me lojtarë të kalibrit të lartë në arenën e futbollit, sigurisht që do të sillte edhe fitore të thella.

Cilat janë disa nga fitoret më të thella të Anglisë?

1-Finland 0-8 Angli (20/05/1937)

Një nga ndeshjet më të mira të Kombëtares së Anglisë. Dy gola u shënuan nga Joe Payne, ish-lojtari i Luton Town-it, që mban rekordin për më shumë gola të shënuar brenda një ndeshje në Ligën e Futbollit të Anglisë. Payne shënoi 10 gola përballë Bristol Rovers-it në 1936.

2- Angli 8-0 Meksikë (10/05/1961)

Ishte ndeshja e gjashtë që Anglia luante për atë vit. Me tetë golat që shënuan kundër Meksikës, anglezët kapën shifrën e 40 golave të shënuar në gjashtë ndeshje.

3-Turqi 0-8 Angli (14/11/1984)

Kualifikueset për Kupën e Botës 1986, përfunduan me një rezultat tenistik për Anglinë. Në Kupën e Botës, Anglia shkoi deri në çerekfinale, pasi u mund me rezultatin 2-1 nga Argjentina, e cila doli dhe kampione.

4- Angli 8-0 Turqi (14/10/1987)

Kësaj here, Anglia dhe Turqia përballeshin për kualifikueset e Euro 1988. Turqia përsëri do të binte “viktimë” e golave të Tre Luanve.

5- Irlanda e Veriut 1-9 Angli (15/03/1890)

Në Kampionatin e Brendshëm të Britanisë 1889/90 Anglia shpartalloi Irlandën e Veriut, me një fitore 9-1 në fazën e grupeve. Ikona e Everton-it, Fred Geary shënoi tripletë.

6- Uells 1-9 Angli (16/03/1896)

Një tjetër ndeshje e Kampionatit të Brendshëm, ku Anglia e fiton me rezultat historik në shifrat 9-1.

Steve Bloomer-i shënoi golin e dytë të ndeshjes dhe golin e 200 të Anglisë në historinë e tyre.

7- Angli 9-1 Holand (11/12/1909)

Në fakt ekipi që mundi Holandën, ishte ekipi Amator i Anglisë, i cili përbehej nga lojtarë profesionistë të cilet nuk paguheshin. Por, gjithashtu edhe në krahun tjetër edhe Hoalnda ishte me ekipin amator të saj.

Vivian Woodward-i, një nga golashënuesit më të mirë të historisë së Anglisë, shënoi gjashtë gola.

8- Belgjikë 1-9 Angli (11/05/1927)

Një nga fitoret më të thella për Anglinë dhe gjithashtu një nga humbjet më të thella për Belgjikën. Në ditët e sotme, sigurisht që situata në të dy kampet ka ndryshuar dukshëm, megjithatë historia mbetet.

9- Angli 9-0 Gjermani (13/03/1909)

Ekipi amator i Anglisë mori përsëri një fitore të jashtëzakonshme, madje edhe kur kishte përballë një nga ekipet Kombëtare me më shumë emër në botën e futbollit, Gjermaninë.

10-Portugali 0-10 Angli (25/05/1947)

Perveç rezultatit tenistik që Anglia shpartalloi Portugalinë, në këtë ndeshje u shënua dhe goli më i shpejtë në historinë e kësaj Kombëtareje.

Tommy Lawton-it iu deshën vetëm 17 sekonda për të shënuar golin e parë të takimit. Goli i dytë në minutën e 11 të takimit, ishte goli i 700 për Anglinë në historinë e saj.

10-Austri 1-11 Angli (08/06/1908)

Futbolli në Austri ishte në hapat e para, por Anglia u shkaktoi “tërmet” duke u realizuar 11 gola. Vivian Westwood-i shënoi pesë gola dhe përballë kishte lojtarë profesionistë.

11- Angli 12-2 Holand (21/12/1907)

Kjo ishte humbja më e rëndë në historinë e futbollit holandez. Humbja erdhi pikërisht ndaj Anglisë, e cila e kishte mundur më herët me rezultate, 9-1 dhe 8-1.

12- Angli 13-2 Irlanda e Veriut (18/02/1899)

Irlanda e Veriut është ndër kombëtaret që ka vuajtur më së shumti furinë e Anglisë. Rezultati kësaj radhe ishte 13-2, madje anglezët humben edhe një penallti.

13- Irlanda e Veriut 0-13 Angli (18/02/1882)

Fitorja më e thellë në historinë e Kombëtares së Anglisë. Ishte ndeshja e parë ndërkombëtare në historinë e futbollit të Irlandës së Veriut dhe ata morën një humbje “tronditëse”, duke mos shënuar as golin e nderit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore