Lajme

Firma izraelite “Cellebrite” i shiti diktaturës brutale të Ugandës mjete për hakerimin e telefonit


Kompania kibernetike izraelite “Cellebrite” i ka shitur Forcave Policore të Ugandës teknologjinë për hakimin e telefonave celularë, pavarësisht raporteve që zbulojnë shkelje të shumta të të drejtave të njeriut nga policia e Ugandës.

“Cellebrite”, e specializuar në zhvillimin e mjeteve për hetimet mjeko-ligjore digjitale, nuk e ka mohuar shitjen, por pretendon se është skrupuloze në lidhje me përdorimin ligjor dhe etik të produkteve të saj.

Produkti kryesor i “Cellebrite” është një teknologji e quajtur UFED, e cila u mundëson autoriteteve të zbatimit të hakojnë telefonat celularë të mbrojtur me fjalëkalim dhe të shkarkojnë informacionin e ruajtur në to.

Në një letër dërguar nga avokati izraelit për të drejtat e njeriut, Eitay Mack, Ministrisë së Mbrojtjes dhe “Cellebrite” të Izraelit, një numër aktivistësh për të drejtat e njeriut bëjnë thirrje për ndërprerjen e shitjeve të teknologjisë dhe shërbimeve mbështetëse ndaj regjimit represiv të kryesuar nga presidenti Yoweri Museveni për 35 vitet e fundit.

“Cellebrite” pretendon se mjetet e saj u shiten vetëm policisë dhe organizatave të sigurisë me qëllim të luftimit të krimit të rëndë dhe terrorizmit.

Siç është raportuar nga e përditshmja “Haaretz”, megjithatë, në listën e klientëve të saj janë përfshirë regjime represive, të sanksionuara, mes tyre Bjellorusinë, Kinën dhe Hong Kongun, Venezuelën, Indonezinë, Rusinë, Filipinet dhe Batalionin e Veprimit të Shpejtë, skuadrën famëkeqe të vdekjes RAB në Bangladesh.

Sipas informacioneve me burim të hapur në internet dhe raporteve investigative nga Eitay Mack, mjetet kanë hyrë në duart e organizatave që shtypin aktivistët e të drejtave të njeriut, pakicat dhe komunitetin LGBTQ. Mack gjithashtu rendit vrasjet, rrëmbimet dhe torturat e të njëjtave grupe nga policia në letrën e tij.

Në një hetim, Mack zbuloi se Forcat Policore të Ugandës e kanë përdorur sistemin për hakerimin e telefonave celularë që nga viti 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore