Përballje

Fiorentina kalon në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, mposht Atalanta-n


Fiorentina është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, teksa ka befasuar Atalanta-n, duke e mposhtur në sekondat e fundit të ndeshjes, me rezultat 2:3.

Në fakt, fitorja e klubit viola ishte edhe më e veçantë, pasi që ata ishin duke luajtur me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Lucas Martinez Quarta në minutën e 79-të.

Ndeshja gjithashtu nisi më mirë për Fiorentina-n, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e nëntë, me golin e shënuar nga Krzysztof Piatek, përmes penalltisë.

Megjithatë, vendasit reaguan shpejtë, të cilët e gjetën golin e barazimit në minutën e 30-të, ku realizator ishte Davide Zappacosta.

Atalanta më pas mori në kontroll lojën, të cilët kaluan edhe në epërsi për herë të parë në ndeshje, me golin e shënuar nga Jeremie Boga në minutën e 56-të.

Megjithatë, mysafirët nuk u dorëzuan, të cilët barazuan rezultatin me sulmuesin Piatek në minutën e 71-të, para se mbrojtësi Nikola Milenkovic të shënonte golin e fitores në minutën e 93-të, kur skuadrat ishin duke u përgatitur për vazhdime.

Tani në gjysmëfinale, Fiorentina do të presë fituesin e duelin Juventus – Sassuolo që do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore