Lajme

Finlanda themelon Grupin Parlamentar të Miqësisë me Kosovën


Kosova dhe Finlanda/Ilustrim

Ambasada e Finlandës në Kosovë, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, njoftoi se Kuvendi i Finlandës ka themeluar Grupin Parlamentar të Miqësisë me Kosovën, i cili do të udhëhiqet nga ish-Ministrja e Çështjeve Evropiane, Tytti Tuppurainen, bashkë me nënkryetarin Mikko Savola, deputet dhe ish-Ministër i Mbrojtjes.

Tuppurainen, e cila e ka përkrahur Kosovën në pothuajse të gjitha proceset, pas themelimit të këtij grupi, ka shkruar në llogarinë e saj në “Twitter” se ndihet krenare për formimin e tij si dhe ka shprehur kënaqësinë që do ta udhëheqë grupin.

“Krenare t’ju informojmë se ne, deputetët e Parlamentit të Finlandës, sot kemi themeluar Grupin Parlamentar të Miqësisë me Kosovën. E lumtur që e kryesoj grupin së bashku me nënkryetarin Mikko Savola, deputet dhe ish-ministër i Mbrojtjes”, shkroi ajo.

Ndryshe, raportet e Kosovës me Finlandën ishin karakterizuar përmes ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i cili mori pjesë në ndërmjetësimin e procesit të paqes në vitin 1999, si dhe shërbeu si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për të negociuar statusin e Kosovës në vitet 2005-2008.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore