Sport

Finale e parakohshme midis City-t dhe Chelsea-t, Liverpool-i dhe Tottenham-i luajnë Europën


Premier Liga do të luajë katër ndeshje për javën e 35-të të saj ditën e shtunë. Sfida më interesante është ajo midis Manchester City-t dhe Chelsea-t, dy ekipet që janë finalistet e Ligës së Kampionëve për këtë sezon.

Ndeshja hapëse e ditës së shtunë në Premier Ligën angleze është ajo midis Leeds United-it dhe Tottenham-it.

Vendasit renditen të 11-ët me 47 pikë, kundrejt 56 pikëve dhe vendit të gjashtë që mban Tottenham-i.

Në katër ndeshje e mbetura të kampionatit, Tottenham-i do të provojë të arrijë kualifikimin për në Ligën e Kampionëve, pasi gjendet pesë pikë larg zonës kualifikuese.

Duke filluar nga ora 16:00, Sheffield United-i do të presë Crystal Palace-n. Vendasit kanë 17 pikë dhe tashmë janë të rënë nga kategoria. Miqtë kanë 38 pikë, 11 pikë më shumë se vendi i 18 që mbahet nga Fulham-i, por me një ndeshje më pak.

Finalja e parakohshme e Ligës së Kampionëve do të luhet duke filluar nga ora 18:30, ku Manchester City do të presë Chelsea-n. Qytetarët janë pranë fitimit të titullit kampion, pasi renditen në vendin e parë me 80 pikë, 13 pikë më shumë se Manchester United-i i vendit të dytë, por me një ndeshje më shumë.

Chelsea renditet në vendin e katërt me 61 pikë. Blutë e Londrës rrezikojnë jo pak pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin tjetër, pasi janë dy pikë larg West Ham-it të vendit të pestë.

Ndeshja e fundit e ditës së shtunë në Premier Ligë është ajo orës 21:15 midis Liverpool-it dhe Southampton-it. Skuadra e Jurgen Klopp-it renditet në vendin e shtatë me 54 pikë. Shtatë pikë e ndajnë Liverpool-in nga zona kualifikuese për në Ligën e Kampionëve.

Southampton-i ka 37 pikë, 10 pikë diferencë nga Fulham-i, duke rrezikuar rëninen për në Championship.

Ditën e diel dhe të hënë do të luhen sfidat e tjera: Wolveshampton – Brighton, Aston Villa – Manchester United, West Ham – Everton, Arsenal – West Brom, Fulham – Burnley. Ditën e premte u luajt sfida Leicester – Newcastle, që përfundoi me rezultatin 2-4.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore