Lajme

FBI-ja pretendon se Huawei mund të prishte komunikimin e arsenalit bërthamor amerikan


Në vitin 2017, qeveria kineze ofroi të shpenzonte 100 milionë dollarë për të ndërtuar një kopsht të zbukuruar kinez në Arboretumin Kombëtar në Washington DC.

I kompletuar me tempuj, pavijone dhe një faltore të bardhë 70 metra, projekti emocionoi zyrtarët lokalë, të cilët shpresonin se do të tërhiqte mijëra turistë çdo vit.

Por kur zyrtarët e kundërzbulimit amerikan filluan të gërmojnë në detaje, ata gjetën shumë “flamuj të kuq”.

Kështu e nis investigimin e saj ekskluziv multi-mediali amerikan “CNN”.

Faltorja, vunë në dukje ata, do të ishte vendosur në mënyrë strategjike në një nga pikat më të larta në Washington DC, një vend i përsosur për mbledhjen e sinjaleve të inteligjencës, thanë burime të shumta për “CNN”.

Gjithashtu alarmante ishte fakti që zyrtarët kinezë donin të ndërtonin faltoren me materiale të dërguara në SHBA në qese diplomatike, të cilat zyrtarët e doganave amerikane u ndalohet t’i shqyrtojnë, sqaruan burimet.

Zyrtarët federalë e “vranë” në heshtje projektin përpara se të fillonte ndërtimi.

Anulimi i punimeve është pjesë e një aktiviteti kundërzbulimi nga FBI-ja dhe agjenci të tjera federale.

Këto, të fokusuara në një përshkallëzim dramatik të spiunazhit kinez në tokën amerikane gjatë dekadës së fundit.

Që prej vitit 2017, zyrtarët federalë kanë hetuar blerjet e tokës kineze pranë infrastrukturës kritike.

Deri më tani, autoritetet kanë mbyllur një konsullatë rajonale të profilit të lartë që besohet nga qeveria amerikane të jetë një vatër e spiunëve kinezë.

Ndër të tjera, ata kanë penguar përpjekjet për të vendosur pajisje dëgjimi afër objekteve ushtarake dhe qeveritare.

Ndër gjërat më alarmante që zbuloi FBI-ja ka të bëjë me pajisjet Huawei të prodhuara në Kinë në majë të kullave celulare pranë bazave ushtarake amerikane në Midwest.

Sipas burimeve të shumta të njohura me çështjen, FBI-ja përcaktoi se pajisjet ishin në gjendje të kapnin dhe të prishnin komunikimet shumë të kufizuara të Departamentit të Mbrojtjes, duke përfshirë ato të përdorura nga Komanda Strategjike e SHBA-ve, e cila mbikëqyr armët bërthamore të vendit.

Mbetet e paqartë nëse komuniteti i inteligjencës përcaktoi nëse ndonjë e dhënë ishte përgjuar dhe dërguar në Pekin nga këto kulla.

Burime të njohura me këtë çështje thonë se nga pikëpamja teknike, është tepër e vështirë të vërtetohet se një paketë e caktuar e të dhënave është vjedhur dhe dërguar jashtë shtetit.

Qeveria kineze mohoi me forcë çdo përpjekje për të spiunuar SHBA-të.

Huawei në një deklaratë për CNN mohoi gjithashtu se pajisjet e saj janë të afta të operojnë në çdo spektër komunikimi të caktuar për Departamentin e Mbrojtjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore