Lajme

FAZ: Politikat e Kurtit janë në përputhje me planet e Vuçiçit për destabilizim të rajonit


Ilustrim

Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, i ka kushtuar një artikull ngjarjeve përplot me tensione në pjesën veriore të Kosovës, ku serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.

Martens, pas përplasjes së serbëve me policinë, e cila më 26 maj, me vendim të kryeministrit Albin Kurti, realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, konsideroi se kjo politikë është “në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit”.

“Një konflikt i ri në oborrin e Evropës Juglindore është gjëja e fundit që i duhet Perëndimit tani. Ndryshe nga vitet 1990, kur luftërat jugosllave parashtruan sfida për politikën perëndimore, të cilat ata shpesh nuk ishin në gjendje t’i përballonin, rajoni për fat të mirë është kryesisht i qetë këto ditë”, shkroi Mertens.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron të përdorë të gjithë pushtetin e tij për të zbatuar monopolin e shtetit mbi përdorimin e forcës në veri. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, qeveria e të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dëshiron ta pengojë këtë – dhe ka qenë mjaft i suksesshëm deri më tani”, shtoi ai.

Mirëpo, shkroi tutje Mertens, kryeministri Kurti po ia lehtëson pa nevojë punën presidentit serb, për shkak se nuk po e zbaton marrëveshjen e vitit 2013, ku parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që njihet si Marrëveshja e Parë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti, pastaj edhe presidentja Vjosa Osmani, deklarativisht po i sfidojnë këto zotime, duke i cilësuar si të dëmshme për interesat e Kosovës dhe që cënojnë rendin kushtetues të saj, por sipas Mertens, kjo po bëhet me “arsyetime pjesërisht të dobëta”.

“Por përveç faktit që enklavat serbe në jug, të rrethuara nga vendbanime shqiptare, nuk mund të shkëputeshin lehtë nga pjesa tjetër e Kosovës, vetë qeveria kosovare ka fuqinë t’ia heqë lehtë këtë instrument Vuçiçit”, vazhdoi argumenti i gazetarit gjerman.

“Modelet e një Asociacioni [të Komunave me Shumicë Serbe] sigurisht që janë të imagjinueshme, të cilat do t’i mundësonin pakicës serbe të vetëqeverisej në masë të madhe pa rrezikuar shtetin kosovar”, shkroi ndër të tjera Mertens.

Planet përkatëse mund të hartohen nga kryeministri Kurti në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës – organ ndërkombëtar i ekspertëve ligjorë – argumentoi Mertens, por meqënëse kreu i ekzekutivit kosovar është kategorisht kundër kësaj ideje, presidenti serb e ka më të lehtë destabilizimin e Kosovës.

“Por meqenëse Kurti tashmë e refuzon idenë e një asociacioni të komunitetit serb, autokrati i Beogradi e ka të lehtë me planin e tij për të destabilizuar Kosovën dhe për të fajësuar Prishtinën. Kjo nuk është në interes të Kosovës dhe të Perëndimit”, përfundoi Mertens artikullin e tij.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të ishte një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm kushtetues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore