Lajme

Fatmir Plakiqit përfundimisht i ndërpritet kontrata nga Bordi i Fondit për Sigurim Shëndetësor


Ish drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

Të enjten e 1 shtatorit, Bordi Drejtues i Fondit për Sigurime Shëndetësore, ia ka shkëputur përfundimisht kontratën e punës Fatmir Plakiqit, për shkak të mospërmbushjes së kënaqshme të detyrave të punës.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë dërguar mediave.

“Në respektim të dispozitave ligjore dhe pas përmbushjes së afateve të përcaktuara me ligj, Bordi Drejtues i Fondit për Sigurim Shëndetësor, në mbledhjen e mbajtur me datë 1 shtator 2022, ka nxjerrë vendim përfundimtar, me të cilin  përfundimisht i shkëputet kontrata e punës z. Fatmir Plakiqi”, thuhet në komunikatën për media.

Ministria e Shëndetësisë.

Më 21 korrik, Bordi Drejtues i Fondit për Sigurime Shëndetësore kishte suspenduar përkohësisht nga puna drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor Fatmir Plakiqi.

Ndërsa më 29 korrik kishte marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Fatmir Plakiqin.

Përse u suspendua Plakiqi?

Fatmir Plakiqi siç ka kuptuar Albanian Post ishte person krejtësisht jashtë ndikimit të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifit.

Derisa vetë fondi përbënte një strukturë jofunksionale që në fakt merrej vetëm me dërgimin e pacienteve në mjekim jashtë vendit, kryesisht në Turqi, në spitalet preferenciale ku besohet se Plakiqi kishte marrëveshje të heshtur.

E gjithë struktura e fondit ishte një grumbullim dembelësh dhe punën që aktualisht e bëjnë 45 punëtorë, më parë kryhej vetëm nga dy zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Personeli i fondit paguan mbi 100 mijë euro në vit për zyrat me qira, derisa efikasiteti mungon krejtësisht.

Gjithashtu, shpenzime shtesë janë pagat jo të vogla të punëtorëve të fondit, të cilët paguheshin për të mos bërë asgjë.

Por, ky nuk është problemi i vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

MSH është nga ministritë me problemet më të mëdha nga gjithë të tjerat.

Lexojeni tekstin e publikuar nga Albanian Post, për të kuptuar se çfarë ndodhë në këtë dikaster qeveritar.

Misioni Rifat, dështoi me sukses

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore