Lajme

Familja si përcaktuese e imazhit të trupit


Hulumtimet sugjerojnë se perceptimi për trupat dhe pranimi i tyre shoqëror formohet në vite shumë të hershme.

Kur mendohet për marrëdhënien me trupin, shpesh është e vështirë të përcaktohet saktësisht se nga vjen kënaqësia ose pakënaqësia.

Megjithatë, nëse shkohet në fëmijëri, mund të kujtohet një koleksion komentesh ose vëzhgimesh të pavëmendshme. Asnjëra prej tyre nuk mund të duket shumë me ndikim në vetvete. E megjithatë, efekti i tyre kumulativ mund të jetë i madh.

Qoftë në formën e komplimenteve apo kritikave, vëmendja ndaj formave të trupit mund të hedhë besime dhe pasiguri që është e vështirë të largohen.

Pasojat mund të jenë jashtëzakonisht të dëmshme, siç tregon hulumtimi, me qëndrimet familjare dhe komentet nënçmuese për peshën të lidhura me problemet e shëndetit mendor dhe çrregullimet e të ngrënit.

Përveç kësaj, stigmatizimi më i gjerë i fëmijëve me mbipeshë është rritur duke ndikuar në vetëvlerësimin e tyre dhe në imazhin e trupit.

Idealet fizike ndryshojnë jashtëzakonisht në kohë dhe në kultura të ndryshme.

Në kohët e sotme, pavarësisht një lëvizjeje në rritje për pozitivitetin e trupit që feston të gjitha format dhe madhësitë, ideja se një trup i hollë është trup ideal mbetet dominues në mediat sociale, ato tradicionale, në televizion, në ekranin e madh dhe në reklama.

Ndërgjegjësimi për idealet e trupit fillon herët dhe pasqyron përvojën e fëmijëve për botën përreth tyre.

Në një studim, fëmijëve të moshës tre deri në pesë vjeç iu kërkua të zgjidhnin një figurë nga një sërë përmasash të holla në të plota, për të përfaqësuar një fëmijë me karakteristika pozitive ose negative.

Ata u pyetën se cilët fëmijë do të ishin të këqij ose të sjellshëm, cilët do të ngacmoheshin nga të tjerët dhe kë do të ftonin në ditëlindje.

Fëmijët prireshin të zgjidhnin figurat më të plota për të përfaqësuar karakteristikat negative.

Më e rëndësishmja, ky paragjykim u ndikua nga të tjerët: qëndrimet dhe besimet e nënave të tyre për format e trupit ndikuan në rezultatin e dhënë.

Gjithashtu, fëmijët më të mëdhenj shfaqnin një paragjykim më të fortë se të vegjlit, gjë që tregon sërish se ishte i mësuar, jo i lindur.

Për studiuesit, gjetjet sugjerojnë se “mjediset sociale të fëmijëve janë të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrimeve negative dhe pozitive ndaj peshës”.

“Shohim modelet sipas të cilave fëmijët u atribuojnë karakteristikat pozitive figurave më të holla dhe karakteristikat negative figurave më të plota”, ka treguar psikologia Sian McLean.

Sipas saj, ata e zhvillojnë atë mjaft herët, gjë që është një shqetësim sepse ata potencialisht kanë mundësinë ta përvetësojnë atë perceptim, se të qenit më i plotë në përmasa është e padëshirueshme dhe të jesh më i hollë është e dëshirueshme.

Teksa prindërit luajnë rol të rëndësishëm në formësimin e qëndrimeve dhe pikëpamjeve të fëmijëve, duhet theksuar se ata janë larg ndikimit të vetëm ndaj të cilit ekspozohen të rinjtë dhe shpesh mund të kenë një efekt pozitiv që mund të kundërshtojë mesazhet nga burime të tjera.

Por hulumtimi tregon se pikëpamjet e prindërve kanë rëndësi.

Një studim tjetër ka nxjerrë se fëmijët në moshën tre vjeçare ndikoheshin nga qëndrimi i prindërve të tyre ndaj peshës.

Me kalimin e kohës, lidhjet negative të fëmijëve me trupat e plotë dhe ndërgjegjësimi se si të humbin peshë u rritën.

Shpesh ka një element gjinor në këto perceptime, ku djemtë preken më shumë nga pikëpamjet e baballarëve të tyre dhe vajzat nga qëndrimet e nënave të tyre.

Përdorimi i dietës për të kontrolluar peshën është raportuar edhe te vajzat në moshën pesë vjeçare. Këtu faktorët kryesorë ishin ekspozimi në media dhe bisedat për pamjen e jashtme.

Studimet tregojnë se si fëmijët e vegjël marrin perceptimet shoqërore të njerëzve përreth tyre, duke i kushtuar vëmendje mënyrës se si të rriturit sillen dhe flasin për trupat dhe ushqimin.

Ky model vazhdon mund të përkeqësohet teksa ata rriten.

Hulumtimet që vlerësojnë nivelin e pakënaqësisë trupore dhe ndërgjegjësimin për dietën te fëmijët e moshës 5-8 vjeç zbuluan se “dëshira për të humbur peshë shfaqet te vajzat rreth moshës gjashtë vjeç”.

Që nga ajo moshë, vajzat e kanë vlerësuar imazhin e tyre ideal si dukshëm më të hollë se imazhi i tyre aktual.

Shumë prindër mund të ndihen të tronditur kur dëgjojnë se pasiguritë e tyre mund të kenë një ndikim të tillë. Por edhe disa familjarë e zmadhojnë këtë efekt përmes komenteve nënçmuese.

Në një studim mbi efektet e ngacmimit nga anëtarët e familjes mbi pakënaqësinë e trupit dhe çrregullimet e të ngrënit, 23 për qind e pjesëmarrësve raportuan ngacmime të lidhura me pamjen nga një prind.

Më shumë raportuan se ishin ngacmuar nga baballarët e tyre sesa nënat e tyre.

Një ngacmim i tillë nga babai ishte një parashikues domethënës i pakënaqësisë trupore, si dhe sjelljeve bulimike dhe depresionit. Po ashtu rriti shanset për t’u ngacmuar nga vëllai apo motra.

Kurse ngacmimi nga ana e nënës ishte një parashikues i rëndësishëm i depresionit.

Ngacmimi për pamjen e dikujt nga një vëlla ose motra kishte një ndikim të ngjashëm negativ në shëndetin mendor dhe vetëvlerësimin, si dhe rriti rrezikun e çrregullimeve të të ngrënit.

Referuar autorëve të studimit, të kuptuarit e një historie familjare të ngacmimeve do t’i ndihmonte ofruesit e kujdesit shëndetësor të identifikonin ata që janë në rrezik për “imazhin e trupit dhe shqetësimin e të ngrënit dhe funksionimin e dobët psikologjik”.

Hulumtime të tjera mbi fëmijët e moshës shtatë deri në tetë kanë treguar se komentet e nënave për peshën dhe përmasat e trupit kanë qenë të lidhura me një sjellje të çrregullt të të ngrënit te fëmijët.

Në mënyrë të ngjashme, vajzat, “nënat, baballarët dhe miqtë e të cilave i inkurajonin të humbnin peshë dhe të ishin të dobëta”, kishin më shumë gjasa të mbështesnin besimet negative për peshën e të tjerëve.

Kjo është veçanërisht alarmante duke pasur parasysh rritjen e stigmatizimit dhe bullizmit lidhur me peshën.

Edhe gratë e rritura ende mund të ndiejnë dhimbjen e stigmës së peshës të përjetuar në fëmijëri, zbuloi një studim, ku pjesëmarrëset kryesisht treguan nënat e tyre si burimin e një stigme të tillë.

Ishte “gjëja më lënduese që kam përjetuar ndonjëherë”, ka thënë një pjesëmarrëse.

Studimi citoi gra në të 40-at, 50-at dhe 60-at e tyre që përshkruanin kujtime të gjalla të turpërimit të peshës nga familjet e tyre dhe trishtimin e thellë që ende ndjenin.

“Kritika e vazhdueshme nga nëna ime për peshën çoi në çështje të vetëbesimit me të cilat kam luftuar gjatë gjithë jetës sime”, ka thënë një pjesëmarrëse.

“E kam ende problem të ha para mamasë sime”, ka treguar një pjesëmarrëse 49-vjeçare. “Ajo gjithmonë ka kritikuar peshën time duke filluar që kur isha gjashtë vjeç. Ndoshta edhe më parë”.

Megjithatë, disa të anketuar thanë gjithashtu se mendonin se nënat e tyre i projektonin pasiguritë e tyre dhe ndoshta synonin që komentet dhe këshillat të ishin të dobishme dhe jo të këqija.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore