Lajme

Fadil Nura jep dorëheqje nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës


Fadil Nura - Kryetar i Komunës së Skenderaj

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Skenderaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur, vetë Nura, përmes një postimi në llogarinë e tij të Facebook-ut, ku bëri të ditur se arsyeja e dorëheqjes është përkushtimi dhe mbrojtja e interesave të qytetarëve të komunës së Skenderaj.

“Ju njoftoj se kam dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit në Parlamentin e Republikës, ku me përgjegjësi jam angazhuar për të mbrojtur përveç tjerash edhe interesat e komunës sonë”.

“Nderin e njëjtë do ta kem edhe tani t’ju shërbej, vetëm se me përgjegjësinë e kryetarit të Komunës, për çka mëzi pres të nisim angazhimet për punë të mëdha që na presin”, ka shkruar Nura në Facebook.

Fadil Nura, kandidat nga radhët e PDK-së, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka fituar garën pa balotazh në Komunën e Skenderajt, me 57.99 për qind të votave, ndërkohë që kundër kandidati i tij kryesor, Bekim Jashari, kishte shënuar rezultat më të ulët, me gjithsej 40.64 për qind të votave.

Pas fitores së Fadil Nurës, Lista e pavarur e Bekim Jasharit kishte deponuar mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që sipas kësaj liste kanë të bëjnë me vjedhjen e votave me sistemin e “trenit bullgar”.

Ndërkaq, PZAP kishte refuzuar shumicën e ankesave të Bekim Jasharit për parregullsi në votimin e 17 tetorit në Komunën e Skenderajt, duke i miratuar vetëm disa nga to, por që përfundimisht kjo komunë nuk shkoi në rivotime.

“Nga vëzhguesit tonë në shumë vendvotime, gjatë numërimit të votave janë gjetur shumë fletëvotime të pavulosura për kryetar komune, mund të këtë edhe shumë tjera që nuk janë identifikuar në mungesë të komisionarëve tonë në vendvotime, për të cilat kërkojmë informacione nga ju qytetarë të dashur”, pati shkruar në Facebook, Jashari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore