Lajme

Facebook-u i jep fund fushatës ndikuese kundër vaksinave


Media sociale, Facebook, ka fshirë qindra llogari për të cilat ka treguar se ishin të përfshira në fushata dezinformimi kundër vaksinave të operuara nga Rusia.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, shkruan se kompania ka deklaruar se rrjeti i llogarive synonte Indinë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe se rrjeti u përpoq të rekrutojë ndikues për të përhapur pretendime të rreme për të minuar besimin e publikut te vaksinat e veçanta COVID-19.

Në raportin e tij të fundit mbi “sjelljen e koordinuar joautentike”, Facebook-u ka thënë se gjeti lidhje midis rrjetit dhe një fushate dezinformimi të dëmtuar nga agjencia e marketingut influencues Fazze, e cila është pjesë e një kompanie me bazë në Rusi të quajtur AdNow.

Muajin e kaluar, një hetim i BBC Trending raportoi sesi në maj të këtij viti ndikuesve u ishin ofruar para nga Fazze për të përhapur pretendime të rreme në lidhje me rreziqet që lidhen me vaksinën Pfizer.

Dhe referuar Facebook-ut, kjo ishte vala e dytë e përpjekjeve të rrjetit për të njollosur vaksinat perëndimore.

Lidhur me hetimin, ai zbuloi se nga nëntori i vitit 2020 i njëjti rrjet ishte përpjekur të nxirrte në mënyrë të rreme vaksinën AstraZeneca si të rrezikshme sepse përdor një adenovirus të padëmshëm të marrë nga shimpanzetë.

“BBC” tregon se postimet nga llogaritë në rrjet përhapën meme që përdornin imazhe nga filmat e “Planet of Apes” për të krijuar përshtypjen se vaksina do t’i shndërronte njerëzit në majmunë.

Këto postime u shfaqën në Facebook në të njëjtën kohë kur qeveria indiane po diskutonte autorizimin urgjent për vaksinën AstraZeneca.

Fushata përdori llogari të rreme, disa prej të cilave media sociale ka thënë se ndoshta kanë origjinën nga llogaritë në Bangladesh dhe Pakistan.

Ndërkohë, ka detajuar se kishte hequr 65 llogari në Facebook dhe 243 llogari në Instagram për shkeljen e politikës kundër ndërhyrjeve të huaja.

Ben Nimmo, drejtuesi i inteligjencës në Facebook, e ka përshkruar fushatën si “një lavanderi dezinformimi’, e cila mbolli përmbajtje në disa forume online dhe më pas e përforcoi atë përmbajtje në platforma të tjera.

Madje, bëhet me dije se operacioni përfshinte mbi një duzinë platformash. Postimet mashtruese në to u shfaqën në Reddit dhe Medium kurse peticionet u shfaqën në change.org duke shprehur shqetësimin për sigurinë e vaksinës AstraZeneca.

Sipas raportit të Facebook, këto lidhje më pas u ndanë nga një pjesë e vogël e ndikuesve në Instagram, të cilët përdorën të njëjtët hashtag dhe bënë referenca për faktin se vaksina AstraZeneca rrjedh nga adenovirusi i shimpanzeve.

Megjithatë, të dyja valët e fushatës ishin të pasuksesshme dhe nuk arritën të fitojnë shumë tërheqje, pavarësisht përdorimit të metodave të ndryshme.

“Përveç përpjekjeve të ekspozuara më parë për të regjistruar ndikues në mediat sociale, ky operacion duket se ka përdorur një gamë të tërë taktikash në një përpjekje më të gjerë për të mbjellë tregime mashtruese në internet rreth vaksinave COVID të prodhuara nga perëndimi”, ka thënë Jack Stubbs, drejtor i hetimeve në firmën analitike të mediave sociale, Graphika.

Ai ka shtuar se “kishte një hacker-im dhe rrjedhje të pretenduar, përdorimin e faqeve pseudo-lajme që paguheshin dhe një rrjet personash të rremë në Facebook dhe Instagram”.

Por, pavarësisht përpjekjeve të fushatës, raporti i Facebook-ut vëzhgoi praktika të çrregullta, duke përfshirë përzierjen e gjuhëve, të tilla si postimi i meme-ve në gjuhën Hindu të shoqëruara me hashtag-e në gjuhën portugeze.

Ndërsa hetimi i BBC Trending tregoi se Fazze ishte pjesë e një kompanie ruse, AdNow. Agjencia bëri përpjekje të përsëritura për të marrë një koment nga selia e AdNow në Moskë, por nuk mori asnjë përgjigje. Sidoqoftë, një drejtor i krahut britanik të AdNow i ka treguar BBC-së se Fazze po mbyllej.

Dhe në përgjigje të akuzave nga një politikan gjerman se diskreditimi i vaksinave perëndimore ishte në interes të Kremlinit, Ambasada Ruse në Mbretërinë e Bashkuar ka thënë se “ne e trajtojmë COVID-19 si një kërcënim global dhe nuk jemi të interesuar të minojmë përpjekjet globale në luftën kundër tij, me vaksinimin e njerëzve me vaksinën Pfizer si një nga mënyrat për të përballuar virusin”.

Facebook-u pastaj, ka deklaruar se Fazze tani është ndaluar nga platforma e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore