Aplikacione

Facebook-u e lë në pritje aplikacionin Instagram Kids, shkak kritikat


Platforma e ndarjes së fotografive në pronësi të Facebook-ut, Instagram, do ta ndali aplikacionin e ri që po krijon për fëmijët.

Ky ka qenë njoftimi i Facebook-ut të hënën e 27 shtatorit, në një veprim që vjen mes kundërshtimeve në rritje për këtë projekt.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se aplikacioni dedikuar fëmijëve, Instagram Kids, do të kërkonte leje nga prindërit për t’u bërë pjesë e tij dhe supozohej të siguronte përmbajtje pa reklama, të përshtatshme për moshën e përdoruesve.

Mirëpo, ligjvënësit amerikanë dhe grupet në mbrojtje të të drejtave, i kanë kërkuar gjigantit të mediave sociale të heqë dorë nga planet e veta të nisjes së aplikacionit, duke theksuar shqetësimet e sigurisë.

“Ne nuk do të ndalojmë së ushtruari presion mbi Facebook-un derisa ata të tërhiqen përgjithmonë”, ka thënë Josh Golin, drejtor ekzekutiv i Fairplay, një grup i mbrojtjes së fëmijëve.

Në një postim në blog, Instagram ka shkruar se ndërtimi i Instagram Kids ishte gjëja e duhur për të bërë, por që po ndalonte punën.

“Realiteti është se fëmijët janë tashmë në internet dhe ne besojmë se zhvillimi i përvojave të përshtatshme për moshën të krijuara posaçërisht për ta është shumë më i mirë për prindërit”, ka veçuar ai.

Katër ligjvënës demokratë përfshirë senatorët amerikanë Ed Markey dhe Richard Blumenthal kanë theksuar se ishin të kënaqur me vendimin e Facebook-ut, por kanë veçuar se pauza “është e pamjaftueshme”.

“Facebook-u duhet të braktisë plotësisht këtë projekt”, kanë thënë ligjvënësit, të cilët përfshijnë gjithashtu përfaqësuesit amerikanë Kathy Castor dhe Lori Trahan.

Në vitin 2017, Facebook-u ka nxjerrë aplikacionin e pavarur, Messenger Kids, një platformë e mesazheve të menjëhershme për fëmijët nën moshën 13 vjeç, e cila kontrollohet nga llogaria e prindërve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore