Aplikacione

Facebook: Postimi që hodhi dyshime mbi vaksinën COVID-19, më i popullarizuari i platformës


Të shtunën e 21 gushtit, platforma Facebook ka thënë se një artikull që ngriti shqetësimet se vaksina kundër coronavirus-it mund të çojë drejt vdekjes, rezultoi në ndërlidhjen më të mirë në rrjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga janari deri në mars të këtij viti.

Agjencia e lajmeve “The Washington Post” tregon se kompania ka zbuluar gjithashtu se një tjetër faqe e ka shtyrë dezinformimin mbi COVID-19 që të jetë po ashtu në mesin e 20 faqeve më të vizituara në platformë.

Në fillim të këtij viti, Facebook-u u përball me një sërë kritikash nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe të tjerë, të cilët kanë pohuar se kompania ka lejuar që të lulëzojnë dezinformimet rreth vaksinave të coronavirus-it.

Madje, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë pohuar se shumë amerikanë ngurrojnë të marrin vaksinën, për shkak të informacionit të rremë ose mashtrues që kanë lexuar në shërbimet e mediave sociale, përfshirë në to edhe Facebook-un.

Më parë, përmes një raporti të publikuar, platforma u përpoq të kundërshtonte kritikët, duke argumentuar se përkufizimi i dezinformimeve shëndetësore është shpesh më pak bardhezi se sa do të dukej.

Rasti i artikullit, që u shfaq në fillim të këtij viti në Facebook, ishte një artikull faktik nga The South Florida Sun Sentinel (shpërndarë nga Chicago Tribune) në lidhje me Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Parandalimin që hetoi vdekjen e një mjeku që ndërroi jetë dy javë pas marrjes së vaksinës së coronavirus-it, sipas raportit.

Mirëpo, muaj më vonë, zyra e ekzaminuesit mjekësor zbuloi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të thënë nëse vaksina luajti rol në vdekjen e mjekut.

Marrë shkas nga raste të tilla, Facebook-u ka njoftuar se do të heqë plotësisht informacionin e rremë në lidhje me COVID-19, por ka argumentuar se bisedat rreth artikujve faktikë nuk duhet të ndrydhen.

Kështu, jo më larg se javën e kaluar, Facebook-u nxori një raport në të cilin kishte identifikuar informacionin më të popullarizuar të ndarë në platformën e tij nga prilli deri në qershor, një zbulim që ngriti pyetje pse kompania nuk po zbulonte postime të njohura nga pjesa e hershme e këtij viti.

Ky publikim i të dhënave erdhi një ditë pasi “New York Times” raportoi për herë të parë se ishte mbajtur i fshehtë nga drejtuesit e lartë. Zbulimi pasqyron sfidën për të qenë të hapur me publikun në një kohë kur rrjeti social po sulmohet nga Shtëpia e Bardhë, si dhe ekspertë për nxitjen e përhapjes së dezinformimeve shëndetësore.

Kompania, kishte ndarë më herët vetëm se sa të tila të lidhura me COVID-in kishte hequr dhe ka qenë e kujdesshme që të mos pranojë deri në këtë pikë se çfarë roli kanë luajtur ato në shpërndarjen e materialeve që mashtrojnë publikun në lidhje me virusin dhe vaksinën.

Drejtuesit kanë debatuar me muaj të tërë mbi publikimin e këtij raporti dhe informacioneve të tjera, sipas një personi të njohur me çështjet e kompanisë. Në ato debate, bisedat janë vërtitur rreth asaj nëse lëshimi i pikave të caktuara të të dhënave ka të ngjarë të ndihmojë ose dëmtojë imazhin publik tashmë të dëmtuar të kompanisë.

Sipas “The Washington Post”, prej kësaj, në raste të shumta kompania e ka ndaluar hetimin e informacionit që dukej negativ.

Në muajin korrik, Biden i akuzoi platformat e ngjashme për “vrasjen e njerëzve” mbi përhapjen e dezinformimeve në lidhje me COVID-19.

Pas këtij komenti, brenda Facebook-ut pllakosi frikë se tregimi po dilte jashtë kontrollit.

Platforma kishte muaj që ishte në diskutime me Shtëpinë e Bardhë. Dhe zyrtarët e administratës Biden kishin kërkuar në mënyrë të përsëritur të dhëna në lidhje me shtrirjen e dezinformimeve në platformën e kompanisë.

Fillimisht, Facebook-u donte të ndante vetëm të dhëna që e nxorën kompaninë në një dritë pozitive, duke përfshirë promovimin e hulumtimit të saj se kompania ka hequr 20 milionë pjesë të përmbajtjes që kishin dezinformime në lidhje me COVID-19.

Mirëpo, teksa Shtëpia e Bardhë vazhdonte më tej, platforma planifikoi të publikonte një raport transparence që do të tregonte 100 pjesët më të popullarizuara të përmbajtjes në platformë.

I vetmi problem ishte se kishin frikë nga ajo që mund të zbulonin. Ishin gjithashtu të kujdesshëm sepse mendonin se rrëfimi për atë se çfarë është dezinformomi, shpesh ishte keqinterpretuar.

Teksa menaxherët e produkteve, inxhinierët, zyrtarët e politikave dhe drejtuesit e tjerë nisën të gërmojnë në të dhëna, ata zbuluan se në tremujorin e parë të këtij viti, një nga faqet më të njohura në rrjet ishte një faqe e drejtuar nga Epoch Times, një botues kundër Kinës që ka promovuar teoritë e dhunshme të komplotit QAnon dhe pretendimet mashtruese ndaj votuesve në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020.

Një tjetër artikull më i njohur ishte edhe Sun Sentinel. Artikulli u promovua në Facebook nga disa grupe kundër vaksinave.

Zëdhënësi i Facebook-ut, Andy Stone ka thënë në një deklaratë se e kishte konsideruar më herët publikimin e raportit, “por meqenëse e dinim vëmendjen që do të tërhiqte, pikërisht siç pamë këtë javë, kishte rregullime në sistemin që donim të bënim”.

Ai nuk ka pranuar t’i sqarojë këto rregullime, por vetëm është mjaftuar duke thënë se një artikull përfshinte rregullimin e një defekti teknik.

Stone ka vijuar se “duke pasur parasysh interesin për versionin e parë që nuk e publikuam, ne kemi vendosur vetëm ta bëjmë atë publik. Nuk shkëlqen, por ne po përpiqemi të bëjmë përparim”.

Gjithashtu ka shtuar se rasti i artikullit të Sun Sentinel “ilustron sa e vështirë është të përcaktosh dezinformimet”.

Prej kohësh, platforma ka menduar se skepticizmi për çdo subjekt, përfshirë vaksinat, nuk duhet të censurohet në një shoqëri që lejon debat të fortë publik. Madje, ka shqyrtuar edhe hulumtime që tregojnë se njerëzit kanë më shumë gjasa të ndryshojnë mendjen nga njerëzit të cilëve u besojnë, duke përfshirë miqtë, familjen dhe njerëzit në rrjetin e tyre social.

Së bashku me ekspertë të tjerë, Facebook-u ka argumentuar se është një arsye e fortë për të lejuar që materiali që mund të ngrejë pyetje të postohet dhe diskutohet në platformë.

“The Washington Post” e përmbyll duke shkruar se sfida qëndron se disa histori faktike që mund të vënë në dyshim vaksinat që shpesh promovohen dhe anashkalohen nga njerëzit dhe grupet që janë kundër tyre. Dhe rezultati është se informacioni faktik mund të bëhet pjesë e një fushate ideologjike.

Nga ana tjetër, platforma ka qenë e ngadalshme në heqjen ose bllokimin e disa nga figurave kryesore anti-vaksinë që përhapin ide të tilla.

Në publikimin e raportit, autorët e tij vunë në dukje se përmbajtja më e popullarizuar ende përfaqësonte vetëm 0.05 për qind të të gjitha shikimeve të përmbajtjes nga përdoruesit amerikanë në tremujorin e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore