Aplikacione

Facebook e mohon performancën e dobët në heqjen e përmbajtjes së gjuhës së urrejtjes


Media sociale, Facebook, i ka mohuar akuzat se algoritmet e veta heqin vetëm një numër të vogël postimesh që përmbajnë gjuhë urrejtjeje.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se kompania përdor sisteme të automatizuara, krahas metodave të tjera, për të identifikuar dhe hequr postime të tilla.

Mirëpo, dokumentet e rrjedhura kanë nxjerrë se vetëm një përqindje e vogël e përmbajtjes fyese është hequr në të vërtetë.

Në kontrast me këtë, Facebook-u ka këmbëngulur se ka parë sukses në zvogëlimin e gjuhës së urrejtjes në platformën e tij.

Të zbuluara fillimisht nga gazeta “The Wall Street Journal”, dokumentet e brendshme të Facebook-ut, përfshijnë informacion mbi një ekip punonjësish që dyshohet se zbuluan që teknologjia ishte e suksesshme në heqjen e vetëm një për qind të postimeve që thyejnë rregullat.

Kurse një vlerësim i brendshëm i marsit 2021, dyshohet se ka zbuluar se përpjekjet e automatizuara të heqjes po eliminonin postimet që gjeneronin vetëm tre deri në pesë për qind të shikimeve të përgjithshme të gjuhës së urrejtjes.

Gjithashtu pretendohet se kompania ka shkurtuar sasinë e kohës që shqyrtuesit njerëzorë shpenzojnë për të kontrolluar ankesat e gjuhës së urrejtjes të bëra nga përdoruesit.

Megjithatë, shkruan “BBC”, Facebook-u e ka mohuar me vendosmëri se po dështon në heqjen e përmbajtjeve që kanë gjuhë urrejtjeje.

Nënkryetari i tij për integritetin, Guy Rosen, përmes një postimi në blog ka thënë se duhet të përdoret një metrikë e ndryshme për të vlerësuar përparimin e kompanisë në këtë fushë.

Ai ka dalluar se përhapja e gjuhës së urrejtjes në Facebook ka pësuar rënie, si përqindje e të gjithë përmbajtjes së shikuar nga përdoruesit.

Aktualisht, ajo përbën 0.05 për qind dhe ka rënë me 50 për qind në nëntë muajt e fundit, ka treguar ai.

Sipas Rosen, më shumë se 97 për qind e përmbajtjes së hequr zbulohet në mënyrë proaktive nga algoritmet e Facebook-ut para se të raportohet nga përdoruesit që e kanë parë atë.

Për sa i përket dokumenteve të brendshme të rrjedhura, të siguruara për “The Wall Street Journal” nga ish-punonjësja e Facebook-ut, Frances Haugen, i referohen një sërë vështirësish të moderimit të përmbajtjes.

Këto nisin që nga dezinformimet kundër vaksinës deri te videot grafike, si dhe përvojat e përdoruesve të rinj në Instagram, i cili është në pronësi të kompanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore