Aplikacione

Facebook do të paguajë gazetat franceze, për t’ia shfaqur lajmet në rrjet


Lajmet e gazetave franceze, të cilat do të shfaqen në Facebook, duhet të paguhen nga gjigandi i mediave sociale, pas një marrëveshjeje të arritur mes rrjetit të madh dhe disa gazetave franceze.

Raportimet e para mbi këtë lajm, vijnë nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), e cila njoftoi marrëveshjen e ngjashme me atë që Google ka sinjalizuar që prej shkurtit 2021.

Në këtë mënyrë, Franca do të bëhet i pari vend, i cili do të vendosë në lëvizje aktin direktiv të vitit 2019 nga Bashkimi Evropian, të njohur si “Të drejtat fqinjësore”.

Ajo çfarë nënkupton ky akt, është pagesa që Facebook duhet të kryejë ndaj lajmeve franceze. Por, gjithashtu kjo lëvizje, do të krijojë një hapësirë të re, në seksionin Facebook News, i cili pritet të marrë jetë në janar.

Në këtë mënyrë, njerëzit do të kenë hapësira informative nga burime të besuara, duke i lexuar ato në median sociale Facebook.

Kjo do të shmangë së pari në mënyrë të menjëhershme lajmet e rreme, të cilat nuk do të kenë ikonën e besimit nga media sociale. Gjithashtu, seksioni do të kanalizohet në mënyrë të tillë, që vetëm njerëzve të interesuar, t’u paraqiten në faqen e tyre lajmet informative.

Kjo nuk do të ndalojë publikimin nga vetë mediat franceze, pasi skema do të jetë e njëjtë. Madje, sipas zyrtarëve të Facebook, kjo do të jetë edhe një mënyrë shumë e mirë për të mbrojtur të drejtën e autorit.

Google ka bërë diçka të ngjashme në fillim të vitit, po me shoqata botuesish francezë. Sipas marrëveshjes së motorit të kërkimit më të madh në botë, Google mund të ripërdorë fragmanete të lajmeve nga burimet e tyre franceze, përkundrejt pagesës sipas kontratës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore