Lajme

“Evropa duhet të përgatitet” – Kreu i ushtrisë belge e konsideron të mundshme një luftë me Rusinë


Michael Hofman

Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë së Belgjikës, Michael Hofman, pas vizitës së ushtarëve belg të dislokuar në Rumani, ka paralajmëruar për rrezikun e mundshëm të një konflikti me Rusinë.

Sipas tij ky është një skenar i frikshëm ani pse një luftë në shkallë të plotë me Rusinë ishte diçka që dukej e paimagjinueshme përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Kemi arsye për t’u shqetësuar. Rusët kanë demonstruar tashmë gatishmërinë e tyre për të sulmuar fqinjët”, ka thënë Hofman për televizionin publik belg, VRT.

Aktualisht, Rusia është e angazhuar vetëm në një front: Ukrainën, shkruan më tej VRT, duke theksuar se ka një rritje të tensioneve në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovë dhe Serbisë – duke ngre frikën për hapjen e një fronti të dytë në këtë pjesë të botës, me Rusinë që synon të zgjerojë ndikimin e saj.

“Putin ka marrëdhënie të shkëlqyera me disa vende të rajonit, si Serbia, e cila po demonstron gjithnjë e më shumë dëshirën e saj për kontroll dhe zgjerim në rajonet Ballkanit me shumicë serbe (Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë)”, potencon televizionin publik belg.

Prandaj shefi belg i Mbrojtjes nuk ka përjashtuar asnjë skenar duke deklaruar se “Evropa duhet të përgatitet urgjentisht. Ata që aspirojnë paqen do të bënin mirë të përgatiteshin për luftë, në mënyrë që të bindnin Rusinë nga hapja e një konflikti paralel me konfliktin në Ukrainë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore