Shqipëria

Evakuimet vijojnë prej zjarreve në Mesdhe


Lufta me flakët nuk ka pushim në gjithë pellgun e Mesdheut evropian, ku 14 mijë persona janë evakuuar nga banesat e tyre vetëm në Francë, teksa zjarret përhapen gjithnjë e më shumë në Spanjë, Greqi, Kroaci, si edhe në Shqipëri.

Në Spanjën jugore, rreth 3 mijë e 200 persona kanë ikur nga banesat e tyre për shkak të zjarreve në kodrat e rajonit Mijas.

Situatë e rënduar paraqitet edhe ajo në Francë, mbi të gjitha në zonën e Gironde. Kjo zonë, duke qenë se njihet edhe për turizmin, ka hasur në problematika të shumta me largimin e pushuesve.

Në Portugali, zjarret janë deri tani të përmbajtura. Por, 659 persona, kanë humbur jetën për shkak të motit tejet të nxehtë, me temperatura që kanë arritur deri në 47 gradë Celsius.

Kryesisht, bëhet fjalë për njerëz të moshuar apo me komplikacione të ndryshme shëndetësore, të cilët nuk e kanë përballuar dot të nxehtin.

Nëse i hidhet një sy gjithë hartës evropiane ndërkaq, kontinenti është kthyer në të flaktë, për shkak të temperaturave ekstreme edhe në zonat më veriore.

Britania e Madhe, pavarësisht se nuk ka zjarre aktive, pritet të haset me një prej verave më të nxehta në histori. Londra ka përgatitur po ashtu masa të veçanta për përballimin e situatës. ,

Vendet nordike deri tani, janë të vetmet të cilat i shpëtojnë “pjekjes”, por sërish temperaturat atje janë disa gradë mbi normalen.

Në Ballkan, Shqipëria, Greqia dhe Kroacia janë përballur me disa vatra zjarri. Situata gjithsesi në të tre vendet është mbajtur në kontroll dhe shqetësimi më i madh i shkaktuar, ka qenë ai i djegies së pyjeve dhe ikjes së turistëve.

Mesdheu afrikan nuk i ka shpëtuar gjithashtu temperaturave ekstreme, me Marokun si vendin më të prekur nga i nxehti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore