Përballje

Europa Leauge: Të enjten mësohen ekipet gjysmëfinaliste


Një javë pas ndeshjeve të para të fazës çerekfinale të Ligës së Evropës, këtë të enjte, tetë skuadrat e mbetura do të zbresin në fushë, për të zhvilluar ndeshjet e kthimit të kësaj faze të eliminimit direkt.

Në ndeshjet e para të kësaj faze, rezultatet deri diku ishin të pritshme, mirëpo asnjë prej tyre nuk e ka përcaktuar ende ndonjë gjysmëfinalist.

Andaj mbetet të shihet sonte (e enjte) se cilat nga tetë skuadrat do të kualifikohen në gjysmëfinalen e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm për klube në Evropë.

Një ndër ndeshjet më interesante të enjten e kaluar ishte rikthimi i jashtëzakonshëm që Roma bëri në fushën e Ajaxit.

Ajax nga Amsterdami, shënuan të parët, madje humbën edhe një penallti, për të dyfishuar epërsinë, në ndeshjen të cilën e dominuan në tërësi.

Por vetëm pas katër minutave nga penalltia e humbur, Roma arriti ta barazoj rezultatin përmes Lorenzo Pellegrinit, që shënoi nga gjuajtja e lirë.

Pas shumë sulmeve nga ana e vendasve dhe shumë rasteve të humbura, befasia erdhi në fund, ku mbrojtësi i Romës, Ibanez, shënoi një gol të bukur, pas një goditje nga këndi.

Andaj ndeshja e kthimit në kryeqytetin e Italisë pritet të jetë shumë interesante.

Përballje tjetër interesante pritet të zhvillohet në Pragë, ndërmjet Slavisë së Pragës dhe Arsenalit.

Ndeshja e parë e zhvilluar ndërmjet tyre në Londër, nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1, me dy golat që u shënuan vetëm në fundin e takimit.

Nicolas Pepe shënoi në minutën e 86-të për ti dhënë epërsi Arsenalit, ndërsa në sekondat e fundit të lojës shtesë, miqtë nga Praga barazuan rezultatin me anë të qendër mbrojtësit Tomas Holes, duke i dhënë ekipit të Slavias menjëherë avantazhin e çmuar të golit të shënuar jashtë fushe.

Slavia Pragës paraqitet në takimin e kthimit pas një forme të shkëlqyer, me plot 23 ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet pa humbje.

Disfatën e fundit në të gjithë aktivitetet Slavia e Pragës e kishte pësuar pikërisht në Ligën e Evropës, me Bayerin e Leverkusenit në Gjermani, katër muaj më parë në fazën e grupeve.

Takim tjetër interesant, pritet të zhvillohet në Villareal, ku këta të fundit do të presin Dinamon e Zgrebit.

Ndeshja e parë ndërmjet tyre e zhvilluar në kryeqytetin e Kroacisë, përfundoi me rezultat 0:1 në favor të spanjollëve, me golin e vetëm të shënuar nga Gerard Moreno.

Edhe pse “nëndetësja e verdhë” e dominoi në përgjithësi lojën në takimin e parë, nuk pritet ta ketë edhe aq të lehtë kualifikimin tutje, duke pasur parasysh që pikërisht skuadra nga Zagrebi, ia shkaktoi eliminimin gjigantit anglez Tottenham.

Ndërsa përballja e vetme, e cila ndoshta më lehtë mund të përcaktohet gjysmefinalisti, zhvillohet ndërmjet Manchester United dhe Granada.

“Djajtë e Kuq” e fituan ndeshjen e parë në Granada me rezultat 0:2, me dy golat e shënuar në secilën pjesë nga Marcus Rashford dhe Bruno Fernandes.

Manchesteri po kalon një formë shumë të mirë, të cilët në 20 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, kanë humbur vetëm takimin me Leicester City në çerekfinalen e “FA Cup” me rezultat 3:1.

Ndërsa vendin e dytë në kampionatin anglez thuajse e kanë të siguruar, andaj objektivi kryesor i tyre mbetet Europa Leauge.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen të enjten me fillim nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore