Lajme

Eurodeputetët kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Dodik-ut: S’mund të tolerojmë më secesionistët


Deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian – sërish – që t’i vendosen sanksione presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, pas veprimeve të tij de-stabilizuese.

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, raportuesi për BeH, Paulo Rangel, dhe presidenti i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me BeH, Romeo Franz, në një deklaratë të përbashkët kanë potencuar se “nuk mund të tolerojmë më secesionistët dhe mbështetësit e tyre që në mënyrë sistematike të rrezikojnë Bosnje e Hercegovinën“.

Ata dënuan miratimin e ligjit në Asamblenë Kombëtare të RS – ku vendosën që të mos i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH –  i cili, thonë ata, ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të BeH dhe ka shkelur Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995).

Ndërkaq, ata përshëndetën vendimin e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, për revokimin e ligjeve të kontestuara, si dhe ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjë-Hercegovinës, të cilat ofrojnë mjete për veprim në rast të tentativave për të cenuar rendin kushtetues.

Ata theksojnë se në lidhje me Dodik-un dhe zyrtarët e tjerë kryesorë të RS-së nevojitet urgjentisht një veprim shtesë nga Bashkimi Evropian.

“Parlamenti Evropian vazhdimisht ka kërkuar nga Këshilli që të kalojë nga deklaratat verbale në veprime specifike ndaj atyre që qëllimisht rrezikojnë rendin kushtetues dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës. Është koha e fundit për BE-në dhe vendet anëtare që më në fund të vendosin sanksione ndaj Millorad Dodik-ut, i cili tashmë është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e madhe“, thuhet në këtë deklaratë.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që kërkohen sanksione për Dodik-un nga Parlamenti Evropian. Kështu ishte edhe në rezolutën e miratuar më 18 janar të këtij viti.

Rezoluta thoshte se: “PE përsërit thirrjen e tij për miratimin e sanksioneve kundër aktorëve destabilizues në BeH, duke përfshirë ata që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, veçanërisht Milorad Dodik”.

Ndërsa, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka vendosur me 1 korrik lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH)

Ai ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

“Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të BeH-së, dhe rrjedhimisht Marrëveshjen e Dejtonit. Institucionet e entitetit nuk kanë të drejtë të devijojnë nga vendimet e institucioneve shtetërore, si dhe të devijojnë nga institucionet e bazuara në Kushtetutën e BeH-së”, theksoi Schmidt, duke komentuar ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH për territorin e RS.

“Pasojat më të mëdha të aventurizmit të tillë të liderëve politikë në RS do t’i vuajnë banorët e RS-së”, potencoi ai.

Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë njoftoi se ka marrë një vendim për ndryshimet në Kodin Penal, i cili sanksionon sulmin ndaj rendit kushtetues në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Më lejoni të bëj një paralajmërim. Të gjitha opsionet janë në tryezë dhe ju të gjithë e dini shumë mirë se çfarë përfshijnë fuqitë e Bonit në dispozicionin tim”, paralajmëroi Schmidt.

Schmidt anulon ligjet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore