Lajme

Eurodeputetët kërkojnë që Këshilli i BE-së t’i liberalizojë vizat për Kosovën


Këshilli Evropian

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian ka kërkuar nga Këshilli Evropian liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Në raport deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar liberalizim të vizave për Kosovën nga Këshilli i BE-së pasi sipas tyre izolimi shton aktivitetet kriminale”, është thënë në njoftimin e PE-së.

Ndërkaq, kanë miratuar krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që Bashkimi Evropian të përshpejtojë procesin e integrimit.

“Raporti, i miratuar të mërkurën në mbrëmje me 531 vota pro, 48 kundër dhe 117 abstenime, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor tranziti për migrantët dhe refugjatët dhe si një vend për pastrim parash dhe trafik armësh”.

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian.

Sipas raportit, popujt e Ballkanit janë të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe mungesës së punësimit.

“Faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të ekspozuara, thotë raporti, janë mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementët e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina”, thuhet tutje në komunikatën për media të Komisionit për Punë të Jashtme të PE-së.

Më 15 dhjetor, Këshilli Evropian ka publikuar raportin për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Në këtë raport thuhet se KE pret që Qeveria e Kosovës të angazhohet në dialogun me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje finale, në mënyrë që dy shtetet të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

Përmes këtij raporti i bëhet thirrje dy shteteve që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel.

“Këshilli përsërit pritshmërinë e tij të fortë që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen dhe zbatohen pa vonesë. Të dyja palët duhet gjithashtu të shmangin veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialogun”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore