Euro 2020

“Euro 2020” kthehet me çerekfinalet


Faza e çerekfinaleve të Kampionatit Evropian “Euro 2020” do të fillojë këtë të premte me dy super ndeshje.

Çerekfinalja e parë do të zhvillohet mes Zvicrës dhe Spanjës, me fillim në ora 18:00 në stadiumin “Gazprom Arena” në Shën Petersburg.

Në këtë fazë, Zvicra erdhi si një nga surprizat kryesore të këtij Kampionati, duke e eliminuar Francën në fazën e 1/8-ve, pas ekzekutimit të penalltive.

Ndërsa, Spanja e mposhti Kroacinë me rezultat 5:3 vetëm pas vazhdimeve, pasi që koha e rregullt nuk prodhoi fitues.

Sa i përket fazës së grupeve, Zvicra u pozicionua në vendin e tretë të Grupit A, me katër pikë të grumbulluara, të cilët mposhtën Turqinë me rezultat 3:1, barazuan me Uellsin 1:1, si dhe u mposhtën nga Italia në ndeshjen hapëse të “Euro 2020” me shifrat 3:0.

Ndërsa Spanja mori vendin e dytë të Grupit E, të cilët fituan ndeshjen e fundit ndaj Sllovakisë me rezultat 0:5, si dhe barazuan ndaj Polonisë 1:1 dhe kundër Suedisë 0:0.

Për Zvicrën, kjo është hera e parë që merr pjesë në një çerekfinale të një Kampionati Evropian.

Kurse Spanja e ka qenë edhe pesë herë më parë në këtë fazë, prej të cilave, katër herë ka vazhduar tutje, duke u shpallur tre herë kampion i Evropës.

Këto dy përfaqësuese janë përballur edhe një herë më parë në një fazë të eliminimit direkt dhe ajo ishte në Kupën e Botës të vitit 1994, në raundin e 1/8-ve, në të cilën triumfoi Spanja me rezultat 3:0.

Derisa, në total këto dy kombëtare janë përballur 22 herë në historinë e tyre, prej të cilave Spanja numëron 16 fitore, pesë ndeshje kanë përfunduar në barazim, si dhe vetëm një fitore ka Zvicra dhe ajo ishte në Kampionatin Botëror të vitit 2010, ku Spanja u shpall kampion i botës.

Zvicra në këtë sfidë do të hyjë pa lojtarin kryesor të tyre, Granit Xhakën, i cili nuk mund të paraqitet për shkak të kartonëve, ndërsa Spanja nuk do të ketë asnjë mungesë.

Ndeshja tjetër çerekfinale e kësaj mbrëmje, do të jetë ndeshja kryesore e kësaj faze, si dhe njëra ndër më interesantet në “Euro 2020”, ku në stadiumin “Allianz Arena” në Munich, do të përballen Belgjika me Italinë.

Këto dy kombëtare, janë treguar më të fortat në këtë Kampionat Evropian, të cilat mbyllën fazën e grupeve me pikë maksimale.

Në fazën e 1/8-ve, Belgjika eliminoi Portugalinë me rezultat minimal 1:0, derisa Italia mposhti Austrinë me rezultat 2:1, vetëm pas vazhdimeve.

Këto dy përfaqësuese, kanë fituar 14 takimet e fundit në Kampionat Evropian.

Sa i përket suksesit në “Euro”, Italia ka fituar një herë titullin, në vitin 1968, dy herë tjera humbi në finale, një herë ishte në gjysmëfinale, si dhe kjo është hera e tretë që kualifikohet në çerekfinale.

Ndërsa Belgjika, suksesin më të madh e ka arritur në vitin 1980, kur humbi në finale nga Gjermania, ndërsa një herë mori pjesë në gjysmëfinale, si dhe kjo është hera e dytë që arrin në çerekfinale të Kampionatit Evropian.

Dy skuadrat janë përballur tre herë më parë në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian.

Në Euro 1980, përballja përfundoi në barazim pa gola, ndërsa në Euro 2000 dhe në Euro 2016, Italia fitoi me rezultat 2:0.

Në total, Belgjika dhe Italia janë përballur 22 herë mes vete, prej të cilave, Italia prinë me 14 fitore, kundrejt katër fitoreve të Belgjikës, si dhe katër ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Në këtë përballje, Belgjika nuk do mund të llogarisë në shërbimet e Timothy Castagne, Nacer Chadli e portierit të dytë Simon Mignolet, kurse në dyshime janë futbolliti kryesor i kësaj skuadre Kevin De Buyne dhe Eden Hazard, të cilët pësuan lëndime në ndeshjen ndaj Portugalisë.

Kurse për Italinë nuk do të mund të paraqitet Alessandro Florenzi, që u lëndua qysh në ndeshjen e parë, kundër Turqisë.

Kujtojë, që fituesit e këtyre dy ndeshjeve do të përballen në gjysmëfinalen e 6 korrikut, në stadiumin “Wembley” në Londër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore