Lajme

Etiopi/ Trafikanti i akuzuar për torturimin e refugjatëve, shpallet fajtor


Tewelde Goitom, i njohur si ‘Welid’ dhe Kidane Zekarias Habtemariamhe Guardian

Një nga trafikantët më famëkeq të njerëzve në Afrikën e Veriut, i akuzuar për zhvatje dhe tortura të mijëra refugjatëve dhe migrantëve në Libi, të premten e 30 prillit, është shpallur fajtor për pesë akuza të kontrabandës dhe trafikimit në Etiopi.

Tewelde Goitom, i njohur si “Welid”, operoi në Libi mes vitit 2014-2018.

Goitom mendohet të ketë qenë në zemër të një trafikimi tregtar mjaft fitimprurës dhe brutal të migrantëve të dëshpëruar që përpiqeshin të arrinin në Evropë.

Ai u arrestua në Etiopi në mars të vitit 2020. Një muaj pasi një nga bashkë-komplotistët e tij, një tjetër trafikant i njohur, Kidane Zekarias Habtemariam, u arrestua.

Të dy janë me origjinë nga Eritrea dhe ndanin një kompleks në Bani Walid.

Një qytet libian me nofkën “qyteti fantazmë” nga migrantët, për shkak të paligjshmërisë së tij dhe numrit të madh të njerëzve që u zhdukën atje.

Dhjetëra viktimave kanë deklaruar se dy trafikantët mbanin mijëra migrantë të robëruar për shpërblim.

Habtemariam u arrestua pasi një viktimë nga Etiopia, e cila ishte kthyer në Addis Ababa nga Libia përmes një programi të riatdhesimit të Kombeve të Bashkuara, e njohu atë në rrugë në fillim të vitit 2020.

Ai u gjykua, por i shpëtoi paraburgimit në mes të shkurtit të vitit 2021 para se të merrej një vendim për të.

Oficeri i policisë që po e ruante u arrestua dhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Etiopisë deklaroi se një hetim po vazhdon.

Habtemariam më vonë u shpall fajtor për tetë akuza në mungesë.

Ka pasur pak vëmendje ndërkombëtare në gjykimet e tyre.

Këto janë zhvilluar pa vëzhgues nga organizatat e të drejtave të njeriut ose ambasadat evropiane të pranishme në gjykatë.

Dëshmitë në distancë nuk u lejuan, që do të thotë se shumica e viktimave – të shpërndara në të gjithë Evropën dhe Afrikën – nuk ishin në gjendje të jepnin prova.

Gjyqi i trafikantit në syrin e kritikëve

Meron Estefanos, një gazetare dhe aktiviste nga Eritrea, tha se vendimi kundër Goitom duhej të kishte tërhequr më shumë vëmendje.

“Welid është një nga trafikantët më të egër të njerëzve që ka kryer krime të paimagjinueshme kundër refugjatëve eritrean. Ky vendim është domethënës në dërgimin e një mesazhi pa dyshim për trafikantët e tjerë që ata nuk mund të fshehin nga kapja”.

Përkundër kësaj, ajo tha se nuk ka besim në sistemin e drejtësisë të Etiopisë.

“Kam frikë se Welid do t’iu jetë japë ryshfet gjykatësve dhe do të ikë nga burgu, si Kidane”.

Shqetësimet e saj u ndanë nga refugjatët që udhëtuan nëpër Libi dhe e njihnin personalisht Goitom.

“Është më mirë nëse gjykata e transferon atë në Evropë”, tha një viktimë nga Eritrea.

Ky i fundit tha se u mbajt rob nga Goitom për gjashtë muaj dhe u detyrua të paguante 3 mijë e 600 dollarë (2,600) shpërblim.

“Meqenëse ai zotëron një sasi të madhe parash është e thjeshtë të paguajë rrugën e tij të daljes. Kjo është arsyeja pse shumica prej nesh kanë frikë. Ai mund të ikë nga Etiopia”.

Çfarë thonë dëshmitarët?

Dëshmitarët që dëshmuan ishin të gjithë etiopian. Disa thanë se ishin të frikësuar për jetën e tyre, por dëshironin me ngulm që të bëhej drejtësi.

Shumë thanë se kishin udhëtuar në Libi sepse u ishte premtuar se do të arrinin shpejt në Evropë për një tarifë të rënë dakord.

Sapo arritën në vendin e Afrikës Veriore, çmimet u rritën dhe ata e kuptuan se nuk kishte asnjë garanci se do të futeshin në një anije për të provuar të kalonin Detin Mesdhe.

Në vend të kësaj, ata u mbajtën në depo për gati 18 muaj.

Çdo ditë, ata ishin të detyruar të thërrisnin familjet e tyre, të cilët transferuan mijëra paund në Goitom ose Habtemariam për të shpëtuar jetën e tyre.

Sa më shumë që duhej të paguante, aq më shumë abuzoheshin dhe rriheshin.

Disa thanë se miqtë e tyre u vranë ose vdiqën nga neglizhenca mjekësore.

Në gjykatë, viktimat thanë se dy trafikantët i detyruan robërit të luanin ndeshje futbolli kundër njëri-tjetrit dhe qëlluan drejt lojtarëve që humbën golat.

Dëshmitarët në të dy gjykimet thanë se u ishte ofruar ryshfet për të mos dëshmuar.

Një muzikant dhe bashkëpunëtor i supozuar i Habtemariam-it, këngëtari dhe kompozitori etiopian Tarekegn Mulu, që nga ajo kohë është arrestuar dhe akuzuar për përpjekje për të bërë presion ndaj dëshmitarëve.

Goitom u dënua me emrin Amanuel Yirga Damte, për të cilin viktimat thonë se është një identitet i rremë. Ai pritet se do të dënohet më 21 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore