Lajme

Në Mal të Zi mbahen zgjedhjet presidenciale


19 marsi erdhi dhe në Mal të Zi është koha për të zgjedhur një president.

Partitë më të forta në këtë garë presidenciale kanë paraqitur kandidatët e tyre.

Konkretisht: Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) – Milo Gjukanoviç, Fronti Demokratik (DF) Andrija Mandiç, Evropa Tani (ES) Jakov Milatoviç dhe demokratët Aleksa Beçiç.

Në garë janë edhe deputetët, Draginja Vuksanoviç nga Partia Socialdemokrate, Goran Daniloviç nga Mali i Zi i Bashkuar dhe kandidati i pavarur, Jovan Raduloviç.

Rol përmbi rolin – përçarje apo bashkim në Mal të zi?

Në një analizë të kryer nga “Radio Evropa e Lirë” shkruhet se titulli i presidentit të shtetit edhe pse më ceremonial se ai i kryeministrit, është shumë i rëndësishëm si simbol i unitetit shtetëror dhe shoqëror.

Predrag Zenoviç, politolog dhe Marija Popoviç Kaleziç nga Qendra për Liritë Civile pajtohen se kandidatët për president të DPS-së dhe DF-së, Milo Gjukanoviç dhe Andrija Mandiç, njihen si politikanë që krijuan përçarje në Mal të Zi.

Prandaj, thotë Kaleziç, “është një pyetje e madhe se sa kandidatë mund të jenë presidentë të të gjithë qytetarëve”.

Dy kandidatët e tjerë, Beçiç dhe Milatoviç, thekson Zenoviq, kanë një diskurs politik që synon të kapërcejë vijën tradicionale të mosmarrëveshjeve politike në Mal të Zi.

Nga ana tjetër, Kaleziç beson se Milatoviç dhe Beçiç, si politikanë të rinj, nuk kanë pasur kohë dhe siç thotë ai as njohuri për të kuptuar përgjegjësinë që vjen me një post kaq të lartë.

Gjukanoviç në garë për mandatin e tretë presidencial

Gjukanoviç hyn në garën presidenciale nga pozita e kreut të shtetit dhe liderit të partisë opozitare, e cila humbi pushtetin në zgjedhjet e vitit 2020.

Ai është rekordmeni evropian me 32 vjet në pushtet, dhe nëse fiton një mandat të tretë si kreu i shtetit , do të kalonte gjithsej 37 vite në pushtet.

Ka qenë gjashtë herë kryeministër i Malit të Zi.

Ai hyri në politikë në fund të viteve 1980.

Në moshën 29-vjeçare, u zgjodh kryeministër për herë të parë në vitin 1991.

Të rinjtë, të cilët këtë vit mbushin 18 vjeç dhe fitojnë të drejtën e votës, nuk mund të kujtojnë se Gjukanoviç ishte kryeministër kur Ushtria Popullore Jugosllave, së bashku me rezervistët malazezë, sulmuan Dubrovnikun në vitin 1991, për të cilin ai i kërkoi falje Kroacisë nëntë vjet më vonë.

Predsjednički kandidat DPS Milo Đukanović, Podgorica, 7. februar 2023.
Milo Gjukanoviç, presidenti i Malit të Zi

Ai u distancua nga politika luftarake e Sllobodan Millosheviçit, presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, në vitin 1997, kur u zgjodh president për herë të parë.

Nga pozita e kryeministrit ai udhëhoqi lëvizjen për pavarësinë e Malit të Zi, e cila u rinovua në vitin 2006.

Të njëjtin pozicion e mbajti në vitin 2010 kur Mali i Zi filloi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në 2017 kur u anëtarësua në NATO.

Si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët pajtohen se, pavarësisht funksionit që mbante, ai kishte pushtet të padiskutueshëm politik në Mal të Zi.

Emri i Gjukanoviçit lidhet me një sërë skandalesh rreth llogarive të tij personale, kompanive jashtë vendit, kredive, por edhe financimit të paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore.

Kundërshtarët e tij politikë e akuzuan për përdorimin e pushtetit politik.

Kjo, për të mbrojtur bizneset ilegale të familjes dhe miqve të tij, por edhe për t’u marrë me intelektualët, mediat dhe sektorin joqeveritar që kritikonte mënyrën e tij të qeverisjes.

Mandiç për herë të dytë kandidat

Andrija Mandiç hyn për herë të dytë në garën për president të Malit të Zi, si deputet dhe një nga drejtuesit e Frontit Demokratik, aleancës më të madhe politike që ka qenë pjesë e forcave qeverisëse që nga zgjedhjet e vitit 2020.

Për vite me radhë, DF-ja e tij shpalli tre synime politike: tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, tërheqjen e Malit të Zi nga NATO dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat Mali i Zi i vendosi në vitin 2014 pas kursit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Ai hyri në politikë në vitet 1990 dhe që nga viti 2003 është lider i Demokracisë së Re Serbe, e cila është partia më e fortë e Frontit Demokratik.

I afërt me Kishën Serbe, ai u pozicionua si udhëheqës politik i serbëve në Mal të Zi.

Andrija Mandić biće kandidat na predsedničkim izborima u Crnoj Gori - Region - Dnevni list Danas
Andrija Mandiç, kandidat për zgjedhjet presidenciale malazeze

Titulli i dukës çetnik i është dhënë në vitin 2007 me testamentin e dukës çetnik Milo Rakoçeviç.

Ai ishte një nga liderët e protestës në vitin 2008, kur Qeveria e Malit të Zi njohu pavarësinë e Kosovës, për këtë arsye hyri në grevë urie për 13 ditë.

Mandiç, së bashku me një lider tjetër të DF-së, Milan Knezheviç, tetë shtetas serbë dhe dy rusë, u akuzuan në rastin “Grusht shteti” për përgatitjen e një ndryshimi të dhunshëm të qeverisë në ditën e zgjedhjeve 2016.

Kundërshtarët politikë e konsiderojnë Mandiçin “një eksponent të politikës ruso-serbe në Mal të Zi” dhe një burim në administratën amerikane konfirmoi në shtator 2022 se DF-ja e tij ishte financuar nga Rusia gjatë fushatës zgjedhore të 2016.

Ai mbështet pa rezerva presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Kandidatura e parë presidenciale e Beçiç-it

Aleksa Beçiç hyn në garën zgjedhore si deputet dhe lider i demokratëve, një nga partitë fituese në zgjedhjet e gushtit 2020, pas së cilës u zgjodh kryetar i Kuvendit dhe u shkarkua 16 muaj më vonë.

Ai hyri në politikë në vitin 2005 si anëtar i Partisë Popullore Socialiste të themeluar nga Momir Bulatoviç. Ai e lë atë pas dhjetë vjetësh dhe themelon atë të demokratëve, të cilët fituan tetë mandate parlamentare në zgjedhjet një vit më vonë.

Edhe pse si kryetar i Kuvendit vazhdimisht theksoi se ishte avokat i integrimit në NATO, demokratët e tij, ashtu si pjesa tjetër e opozitës, bojkotuan Kuvendin kur u miratua vendimi për hyrjen e Malit të Zi në Aleancë në vitin 2017.

Mali i Zi pa qeveri, pritet shkarkimi dhe i kryetarit të kuvendit Aleksa Beçiç - Bota
Aleksa Beçiç, kandidat për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi

Në prag të këtij vendimi, ai argumentoi se çështja e anëtarësimit në NATO duhet të vendoset me referendum.

Është afër Mitropolit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Demokratët e tij iniciuan ngritjen e një monumenti për të ndjerin Mitropolit Amfilohi, i cili lindi në Kolashin, në veri të Malit të Zi.

Milatoviç në vend të Spajiçit në garën presidenciale

Jakov Milatoviç hyn në garën presidenciale si një nga liderët e lëvizjes “Evropa Tani”, një parti joparlamentare.

Ai kandidoi pasi u refuzua kandidatura e kolegut të tij partiak Milojko Spajiç, i cili përveç malazezes kishte edhe shtetësi serbe.

Milatoviç dhe Spajiç themeluan lëvizjen “Evropa Tani” në qershor 2022 dhe katër muaj më vonë, në zgjedhjet lokale në Podgoricë, çdo i pesti qytetar votoi për atë lëvizje.

Ai hyri në politikë si ish-ministër i qeverisë së Zdravko Krivokapiçit, e para e formuar pas rënies së qeverisë tre dekadash të DPS-së së Gjukanoviçit.

Ajo qeveri u negociua nën patronazhin e Kishës Ortodokse Serbe dhe Krivokapiç i krahasoi 12 ministrat e tij me 12 apostujt.

Jakov Milatović novi gradonačelnik Podgorice - ROMANIJA Media
Jakov Milatoviç kandidat për zgjedhjet presidenciale malazeze

Milatoviç, i cili mbulonte departamentin e ekonomisë në atë qeveri, së bashku me Spajiçin filluan programin e reformës tatimore “Evropa Tani”, sipas të cilit partia u emërua më vonë.

Me atë program, me heqjen e kontributeve për shëndetësi, i rritën pagat, minimale nga 222 në 450 dhe mesataren nga 530 në 670 euro.

Këto lëvizje u sollën atyre popullaritet mes qytetarëve, ndërsa ekonomistët paralajmëruan se programi po shkaktonte dëme në arkën e shtetit dhe mund ta çonte Malin e Zi drejt një “skenari grek”.

Para se të zëvendësohej qeveria e tyre, në fillim të vitit 2022, ata njoftuan një rritje të pagës mesatare në 1 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore