Lajme

“Është e pakuptueshme rehabilitimi dhe glorifikimi i liderëve politik serbë nga ana e Kurtit”


Albin Kurti dhe Zoran Gjingjiç

Për anëtarin e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari, është e pakuptueshme përpjekja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për të rehabilituar e glorifikuar liderë politik serbë që kanë qenë pjesë e elitës shoviniste.

Në 20 vjetorin e vrasjes, shefi i qeverisë së Kosovës, Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, e kishte kujtuar ish-kryeministrin serb, Zoran Gjingjiç, duke thënë se ky i fundit ishte ndër liderët e rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Sllobodan Millosheviç’in.

Mu për këtë arsye për Nurellarin është pakuptueshme tentimi i Kurtit për të thurur elozhe për Gjingjin, i cili ra viktimë e luftës së brendshme për pushtet në Serbi.

Ai madje ka publikuar letrën e Gjingjiç’it dërguar kriminelit të luftës, i dënuar si përgjegjës për gjenocidin në Bosnje, Ratko Mlladiç’it, ku ndër të tjera ish-kryeministri serb, i cili në sytë e Kurtit është një demokrat, përshëndeste punën e Ushtrisë Serbe i udhëhequr nga Mlladiç’i.

“I nderuar Z. Gjeneral, Në emër të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe në emrin tim personal, ju uroj të gjithë ushtarët, nënoficerët, oficerët dhe ju personalisht Ditën e Ushtrisë së Republikës Srpska. Ushtria e Republikës Srpska, e formuar gjatë luftës për liri, është një shembull se si një ushtri e vogël por popullore mund të ruajë me sukses shtetin dhe të mbrojë njerëzit. Pavarësisht negociatave të paqes, suksesin e të cilave ne të gjithë e dëshirojmë, na duhet një ushtri e fortë, në mënyrë që pala tjetër të heqë dorë nga synimi i saj për të vazhduar luftën. Shpresoj se populli serb, si dhe Ushtria e Republika Srpska, do ta mirëpresin Vidovdanin e ardhshëm në paqe. Me respekt, Dr. Zoran Gjingjiç”, shkruhej në letrën e Gjingjiç’it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore