Lajme

Është arritur pajtim për seancë – të premten Kurti u tregon deputetëve se çfarë draft-statuti ka pranuar në Bruksel


Kuvendi i Kosovës.

Partitë opozitare në Kosovë, kanë kërkuar që të premten e kësaj jave Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në foltoren e Kuvendit të Kosovës për të treguar se çfarë ka pranuar në takimin e tij të fundit me liderët evropianë.

Kurti u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni dhe pas takimit u tha se Kosova e ka pranuar dhe ishte e gatshme të nënshkruajë për draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pos të tjerash.

Prandaj, kryesia e Kuvendit u mblodh dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se “u pajtuam që të ftojmë kryeministrin për raportim në Kuvend lidhur me bisedimet e fundit të cilat janë mbajtur dhe se cili është drafti i pranuar, si kemi ardhur te ky konkluzion”.

Gashi pohoi se te premten e presin në seancën e Kuvendit kryeministrin bashkë me “dokumentet që i ka pranuar”.

I pyetur nga gazetarët se sa do mund të shpalosë Kurti, kur u tha se ndërmjetësuesit nga BE kanë kërkuar diskrecion të plotë nga palët, Gashi tha se “gjithmonë ndërmjetësuesit kanë pasur kërkesa për diskrecion, por më parë kur nuk janë shfaqur dokumentet, kryeministri i ka quajtur akte tradhtarë”.

Prandaj, tash atij i kërkohet të zbatojë atë që ka kërkuar vetë, sepse “në ato dokumente duhet të kemi qasje dhe mbi bazwn e dokumenteve të shohim çka na pret në të ardhmen… të shohim çfarë obligime kemi marrë”.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Po ashtu, shtoi Gashi meqë “tashmë është pranuar (drafti i statutit)” atëherë “s’ka pse të mbahet fshehtë”.

“Është dokument që do të ketë ndikim në strukturën organizative institucionale të Kosovës”.

Edhe homologu i Gashit në parlament, Abelard Tahiri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pohoi se “kryeministri duhet të raportojë mbi dokumentin që e ka pranuar”, sepse “është obligim i tij”.

“Duhet ta respektojë edhe rezolutën që e obligon që para dhe pas takimit të raportojë në Kuvend”, shtoi, duke përsëritur se “kjo nuk është respektuar deri tani”.

“Por, tani duhet të raportojë”.

Sipas Tahirit, “është e rëndësishme që ta kuptojnë qytetarët se me çka është pajtuar Qeveria e Kosovë? Si do të jetë ai lloj Asociacioni apo Zajednice siç e quanin më parë”.

Gashi e Tahiri kanë njoftuar se dita e premte u caktua pasi u arrit pajtim edhe me zyrën e kryeministrit.

Nuk dihet nëse Kurti do të shpalosë atë që u akordua në Bruksel.

Ai ka folur, por fare pak për Asociacionin e pranuar. Përveçse ka thënë se bëhet fjalë për një draft “që është i kujdesshëm në raport me frymën dhe germën e Kushtetutës së Kosovës”.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Më të turbullt se çfarë duhet të jetë drafti e ka bërë vetë ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak, kur të dielën mbrëma doli me një shkrim në Facebook duke pohuar se drafti i “respekton vijat e kuqe të të dyja palëve”, pa elaboruar më shumë.

I vetmi lider politik që s’ka qenë aq kritik ndaj Kurtit për çfarë ndodhi në Bruksel në takimin me tre liderët kryesorë evropian, ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, por shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është e ka konsideruar sjelljen e Kurtit një qëndrim prej “monarku”.

“Ne jetojmë ne demokraci parlamentare dhe jo në mbretëri, prandaj ky raportim është i domosdoshëm, jo veç për transparencë, por edhe për dhënie të llogarisë. Është e pafalshme nëse qasja në Bruksel e dëmton vendin e ne nuk e diskojmë në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Tahiri.

Takimet ne Bruksel

Albanian Post ka parë statutin e Asociacionit të propozuar nga ndërkombëtarët dhe ai është shumë i përafërt me atë që ka propozuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Statuti i pranuar, të cilin e ka parë AP, ka të adresuara shqetësimet e opinionit të Gjykatës Kushtetuese dhe për t’u hartuar janë konsultuar Marrëveshja e vitit 2013, ajo e vitit 2015, opinioni i Kushtetueses, letra e Kurtit për vizionin e tij për vetë-menaxhimin e publikuar në llogarinë e tij në Facebook me 2 maj të këtij viti dhe disa drafte të tjera të propozuara nga organizata jo qeveritare, siç ishte ai i FES-it.

Meqë shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese në opinionin për Parimet e Përgjithshme të vitit 2013 ishin se mos Asociacioni merr pushtet nga nivelet tjera siç është Qeveria, apo Komunat, apo se mos përbën një institucion ekskluziv për të mbrojtur dhe promovuar komunitetin serb në Kosovë, atëherë statuti i ri e nxjerr Asociacionin si një institucion të ri publik në Kosovë, por që nuk ia prekë pushtetin as komunave e as Qeverisë, vetëm se angazhohet në zbatimin e detyrave në fusha të caktuara, me theks: arsim dhe shëndetësi.

Është sqaruar po ashtu edhe termi problematik “full overview”, i cili në shqip ishte përkthyer si “vëzhgim” e në serbisht si “auditim”.

Në statutin e ri “full overview” nënkupton administrim të Asociacionit në zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim, planifikim urban dhe rural dhe disa fusha të tjera.

Asociacioni do të ketë të drejtë të punësojë edhe staf dhe ata do të quhen “shërbyes civilë”.

Statuti rregullon edhe pagesën, donacionet dhe shërbime të tjera që Serbia ia ofron direkt Asociacionit. Rregullohet edhe raporti me Qeverinë e Kosovës.

Përkundër adresimit të shqetësimeve të Kushtetueses, statuti i ri duhet të validohet nga Gjykata Kushtetuese, ashtu siç ishte paraparë në Marrëveshjen për Parimet të vitit 2015.

I vetmi që është deklaruar më në detaje për statutin është kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca.

Në një prononcim për televizionin Klan Kosova, Konjufca e pranoi se “është proces i ndërlikuar të krijohet një institucion që quhet publik dhe merret me çështje që në kuptimin etnik mund të interpretohen si serbe, është problem kjo”.

Konjufca konfirmoi se ky do të jetë proces që do zgjasë, “do të jetë më shumë si në Vjenë që ka ndodhur”.

Ai tha se kanë kuptuar se “nuk po ka se si të shkëputemi nga një obligim ndërkombëtar që e ka marrë Kosova”.

“Tash kemi obligimin e vitit 2013, është marrëveshje ndërkombëtare, e votuar në parlament të Kosovë. Neve nuk na pëlqen, na e kemi kritikuar e kështu me radhë, tash qysh me ia gjetë asaj modusin që edhe mu themelu edhe mos me bë dëme nuk është çështje e lehtë”, përfundoi Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore