Lajme

Escobar: Vuçiç tha se do të ndikojë te serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se ky i fundit i ka premtuar se do ndikojë te serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

“Vuçiç tha se do të përdorë ndikimin e tij për të bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Escobar në një konferencë për media në Beograd.

“Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës. Tani kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serbinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, shtoi ai.

“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”.

Po ashtu ai ka theksuar se kryetarët e komunave në Veri nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale dhe se Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen.

Ai ka përsëritur se BE-ja me mbështetjen e ShBA-së, e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin është një proces evropian dhe se t’i kthesh shpinën atij procesi, ia “kthen shpinën Evropës”.

“Kjo në vetvete është një pasojë shumë e rëndë”, shtoi ai.

Diplomati amerikan paralajmëroi se nëse Kosova nuk dëshiron të bashkëpunojë dhe të rreshtohet me “përpjekjet tona për të vendosur stabilitetin rajonal”, kjo do të thotë një hap prapa në marrëdhëniet me komunitetin transatlantik.

Siç tha ai, formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim ligjor i Qeverisë së Kosovës dhe pjesë e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

“Nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por Kosovës dhe Serbisë”, potencoi Escobar.

Escobar shtoi se ai ende mendon se shumica e elementeve të Marrëveshjes së Ohrit mund të përmbushen këtë vit kalendarik.

I pyetur për ndikimin e Rusisë, ai theksoi se Moska përfiton nga përçarjet në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore