Lajme

Escobar për Asociacionin: Duhet të zbatohet dhe do të zbatohet


Gabriel Escobar

Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një bisedë të organizuar nga Këshilli Atlantik – institut me seli në Uashington – ka folur për sfidat e fundit në rajon, me theks të veçantë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Është një dispozitë ligjërisht e detyrueshme. Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, për Kosovën dhe për BE-në – dhe pikërisht për shkak se ne e mbështesim dialogun, është edhe detyrimi ynë. Pra, po, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet”, ka thënë Escobar.

Diplomati amerikan ka komentuar edhe marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për de-eskalim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave.

“Marrëveshjen e arritur nga Serbia dhe Kosova për targat javën e kaluar, unë e konsideroj të rëndësishme për uljen e tensioneve”.

“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë që në vend që të punojmë për çështje individuale që krijojnë tensione, të gjitha këto çështje duhet të jenë pjesë e dialogut të sponsorizuar nga BE-ja”, shtoi ai.

Escobar theksoi se ShBA-të janë shumë aktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe sipas tij, sëbashku me BE-në, arritën t’i tejkalojnë tensionet.

“Ne punojmë ngushtë me partnerët tanë evropianë në gjetjen e zgjidhjeve që shpresojmë të jenë të drejta për dy palët”.

Ndërkaq, Escobar deklaroi se inkurajoi Serbinë që të vendosë sanksione kundër Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës dhe të tregojë se është e përkushtuar ndaj vlerave evropiane.

“Kriza në Ukrainë na ndihmoi të fokusohemi në atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor. Rusia nuk do të jetë një partner i besueshëm në të ardhmen dhe se është e gabuar të llogarisim në bashkëpunimin me Moskën”.

Ndryshe, të mërkurën e 23 nëntorit, Kosova iu kthye negociatave në Bruksel, nën presionin e aleatit të saj kryesor dhe një marrëveshje për çështjen e targave u arrit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, pas një maratone diskutimesh prej rreth gjashtë orësh.

Sipas marrëveshjes së arritur për de-eskalim, Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, pra nuk do ketë gjoba dhe as konfiskime, ndërsa Serbia do të ndalojë lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore