Lajme

Escobar: Nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve s’ndikon tek detyrimi për zbatimin e tyre


Gabriel Escobar

I Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

Këto komete ai i ka bërë për “Zërin e Amerikës”, pas zhvillimeve të fundit në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve që ka pasur javën e kaluar me liderët evropianë, ka deklaruar se ka qenë i gatshëm që të nënshkruaj Marrëveshjen Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), si dhe planin evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Nga ana tjetër, ndonëse Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i kërkuan Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që ta njohë de facto Kosovën, ai ka refuzuar kategorikisht një gjë të tillë, duke thënë se një gjë të tillë nuk do ta bëjë asnjëherë.

I pyetur për këto qëndrime të palëve, dhe për mënyrën se si do të vazhdohet para, top-diplomati amerikan Escobar, ka thënë se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar.

Ai ka shtuar se të dy udhëheqësit, përkatësisht Kurti dhe Vuçiç, kanë marrë këtë angazhim para BE-së dhe ShBA-së dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit: “Kosova Asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera gjëra si këto”.

Tutje, Escobar potencoi se shteti që ai përfaqëson e mbështet plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.

Jashtë kësaj, ai ka folur edhe për dorëheqjen e shefit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, ku ka thënë se ky i fundit ka qenë një figure jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.

Lidhur me pretendimet e Vulin-it se ai dha dorëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si parakusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, Escobar theksoi se “ne (SHBA) nuk marrim vendimeve në emër të qeverisë serbe”.

Çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas.

Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia të premten.

Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nis procedurën për themelimin e Asociacionit në Kosovë siç është përshkruar në draft-statut [të propozuar nga BE] dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto”, thuhej aty, teksa shtohet se formalitetet, “nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”.

Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë.

“Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, paralajmëruan ata.

Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni dhe Charles Michel

Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka marrë epilog asnjëherë, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Serbia vazhdimisht e ka përdorur këtë si “armë” për ta akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht këtë, ndonëse vetë një numër të madh të tyre nuk i ka zbatuar.

Në deklaratën e përbashkët, Scholz, Meloni dhe Macron theksuan se i kanë marrë parasysh komentet e dy liderëve, përkatësisht Kurtit dhe Vuçiç-it, për statutin evropian për themelimin e Asociacionit në Kosovë dhe “gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar”.

“Draft-statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”.

Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë nënvizuan edhe një herë pritshmëritë që palët: “të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.

Çka përmban drafti evropian për Asociacionin?

Albanian Post e ka parë statutin e Asociacionit të propozuar nga ndërkombëtarët dhe ai është shumë i përafërt me atë që ka propozuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Statuti i pranuar, të cilin e ka parë AP, ka të adresuara shqetësimet e opinionit të Gjykatës Kushtetuese dhe për t’u hartuar janë konsultuar Marrëveshja e vitit 2013, ajo e vitit 2015, opinioni i Kushtetueses, letra e Kurtit për vizionin e tij për vetë-menaxhimin e publikuar në llogarinë e tij në Facebook me 2 maj të këtij viti dhe disa drafte të tjera të propozuara nga organizata jo qeveritare, siç ishte ai i FES-it.

Meqë shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese në opinionin për Parimet e Përgjithshme të vitit 2013 ishin se mos Asociacioni merr pushtet nga nivelet tjera siç është Qeveria, apo Komunat, apo se mos përbën një institucion ekskluziv për të mbrojtur dhe promovuar komunitetin serb në Kosovë, atëherë statuti i ri e nxjerr Asociacionin si një institucion të ri publik në Kosovë, por që nuk ia prekë pushtetin as komunave e as Qeverisë, vetëm se angazhohet në zbatimin e detyrave në fusha të caktuara, me theks: arsim dhe shëndetësi.

Është sqaruar po ashtu edhe termi problematik “full overview”, i cili në shqip ishte përkthyer si “vëzhgim” e në serbisht si “auditim”.

Në statutin e ri “full overview” nënkupton administrim të Asociacionit në zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim, planifikim urban dhe rural dhe disa fusha të tjera.

Asociacioni do të ketë të drejtë të punësojë edhe staf dhe ata do të quhen “shërbyes civilë”.

Statuti rregullon edhe pagesën, donacionet dhe shërbime të tjera që Serbia ia ofron direkt Asociacionit. Rregullohet edhe raporti me Qeverinë e Kosovës.

Përkundër adresimit të shqetësimeve të Kushtetueses, statuti i ri duhet të validohet nga Gjykata Kushtetuese, ashtu siç ishte paraparë në Marrëveshjen për Parimet të vitit 2015.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore