Lajme

Escobar: Mali i Zi pranë kolapsit institucional, s’kam parë ndonjëherë krizë të tillë


Gabriel Escobar

Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se Mali i Zi është pranë kolapsit institucional ndërsa paralajmëroi për “shumë pasoja” nëse nuk zgjidhet kriza e thellë politike dhe institucionale.

“Mali i Zi është në një krizë shumë të thellë. Është aq afër një kolapsi institucional sa s’kam parë ndonjëherë në asnjë vend. Nuk ka qeveri. Dy qeveri ranë dhe nuk pati përparim në formimin e një tjetre. Ata nuk kanë një kuorum në Gjykatën Kushtetuese që mund të konfirmojë zgjedhjet e reja”, tha Escobar.

Diplomati amerikan, i cili është i angazhuar edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përkujtoi se mandati i presidentit malazez Milo Gjukanoviç skadon në pranverë kurse kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, ka shpallur së fundmi zgjedhjet presidenciale më 19 mars, por ai është skeptik se mund të gjendet një rrugëdalje.

“Mund të ndodhë që të mos ketë president që t’i besojë mandatin, të mos ketë qeveri që të ecë përpara dhe Gjykata Kushtetuese të miratojë të gjitha vendimet dhe të konfirmojë rezultatet e zgjedhjeve”, theksoi Escobar.

Në fund të dhjetorit, shumica parlamentare e shpalli liderin e DEMOS-it, Miodrag Lekiç, mandatar për përbërjen e Qeverisë së re të Malit të Zi, bazuar në ndryshimet kontestuese të Ligjit për Presidentin që ishte miratuar nga Kuvendi, pavarësisht opinionit negativ të Komisionit të Venecias.

Zyrtari i lartë amerikan ritheksoi se detyra kryesore është plotësimi i menjëhershëm i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, “dhe më pas të shkohet në zgjedhje” ndërsa duke iu referuar opinionit të Komisionit të Venecias, tha se çdo ide që “Kushtetuta të ndryshohet me shumicë të thjeshtë” është shumë e rrezikshme.

“Tashmë kemi thënë se nuk jemi të sigurt se do të ishte një qeveri kushtetuese. Nuk jemi të sigurt se mund të mbështetemi në vendimet e një qeverie të tillë. Ne i inkurajuam ata të mos e bënin këtë”, përfundoi Escobar.

Çfarë ka ndodhur nga gushti e deri më sot

Kujtojmë se Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç iu votua mosbesimi në gusht, ndërsa në shtator, shumica e re (e vjetër) parlamentare, përkatësisht deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Frontit Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” arritën marrëveshje që mandatar për formimin e qeverisë malazeze të jetë Miodrag Lekiç.

Mirëpo, kur ia dërguan propozimin e nënshkruar nga 41 deputetë Gjukanoviç’it, ai refuzoi të konsultohet me Lekiç‘in, me arsyetimin se shumica nuk e ka respektuar afatin kushtetues për propozimin e mandatarit.

Më pas, shumica parlamentare miratoi ndryshimet në Ligjin për Presidentin, për të cilat Komisioni i Venecias vlerësoi se nuk janë në pajtim me Kushtetutën, ndërsa Komisioni Evropian apeloi që të respektohet zëri i ekspertëve juridikë ndërkombëtarë.

Gjukanoviç më pas nënshkroi dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Ligjin për Presidentin, duke theksuar se ky është obligim i tij kushtetues, por edhe se me këtë përfundon e gjithë puna e tij, sepse, siç shtoi ai, nuk dëshiron të marrë pjesë në zbatimin e dispozitave të ligjit, të cilat janë antikushtetuese.

Ndërkaq, pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kanë arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese.

Negociatat për formimin e qeverisë kanë dështuar ndërkohë dhe zyrtarë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë paralajmëruar vazhdimisht Podgoricën për ndërprerjen e negociatave për anëtarësim, nëse nuk sigurohet funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore