Lajme

Escobar këtë të premte raporton në Shtëpinë e Bardhë për veriun e Kosovës


I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Ashtu siç kishte paralajmëruar sa ishte në vizitë në Kosovë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këtë të premte të 9 qershorit, do të raportoj në Shtëpinë e Bardhë për situatën e krijuar në veri dhe procesin e de-eskalimit.

Për këtë cështje, Escobar gjatë vizitë vizitës në Kosovë e Serbi kishte kërkuar nga dy udhëheqësit e dialogut, që të ecnin përpara, në të kundërtën ai tha se do të pasojnë ndëshkime.

“Pas kësaj vizite, ne do të pyetemi nga Shtëpia e Bardhë, të premten, për t’ua dhënë një përditësim mbi atë që po ndodh. Dhe unë duhet të raportoj nëse ka ndonjë progres apo jo”, kishte deklaruar Escobar.

“Miroslav Lajçak duhet të raportojë te Josep Borrell, rreth situatës. Nuk është një afat, por një hap tjetër për mua dhe në bazë të raportit tim do të marrim disa vendime dhe do të ecim përpara”, kishte thënë ai.

Escobar, ndër të tjera kishte shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është bashkëpunues dhe po e bllokon procesin, SHBA, BE dhe i gjithë spektri trans-atlantik janë të befasuar me të dhe s’po e kuptojnë nga po buron destruktiviteti i tij, afat ka veç dhe dy ditë dhe më pas mund të ndryshojë gjithçka, Qeveria e Kosovës e ka statutin e Asociacionit, por s’po e prezanton dhe pasoja për Kurtin, jo për popullin e Kosovës, do të ketë patjetër nëse deri të premten nuk ndryshon kursin.

Ndryshe, Emisari i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.

Ai përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës dhe se “nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin”. “Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë Qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, deklaroi Escobar gjatë vizitës dy ditore në Kosovë, më 5 dhe 6 qershor.

S’ka më sekrete, Gabriel Escobar i tregon të gjitha

Një ditë më vonë, Escobar vizitoi Serbinë. Në takim me presidentin e Serbisë Alexandër Vuçiç, ai tha se ky i fundit i ka premtuar se do ndikojë te serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

“Vuçiç tha se do të përdorë ndikimin e tij për të bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Escobar në një konferencë për media në Beograd më 7 qershor.

“Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës. Tani kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serbinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, shtoi ai.

“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”.

Po ashtu ai ka theksuar se kryetarët e komunave në Veri nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale dhe se Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen.

Ai ka përsëritur se BE-ja me mbështetjen e ShBA-së, e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin është një proces evropian dhe se t’i kthesh shpinën atij procesi, ia “kthen shpinën Evropës”.

“Kjo në vetvete është një pasojë shumë e rëndë”, shtoi ai.

Diplomati amerikan paralajmëroi se nëse Kosova nuk dëshiron të bashkëpunojë dhe të rreshtohet me “përpjekjet tona për të vendosur stabilitetin rajonal”, kjo do të thotë një hap prapa në marrëdhëniet me komunitetin transatlantik.

Siç tha ai, formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim ligjor i Qeverisë së Kosovës dhe pjesë e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

“Nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por Kosovës dhe Serbisë”, potencoi Escobar.

Escobar shtoi se ai ende mendon se shumica e elementeve të Marrëveshjes së Ohrit mund të përmbushen këtë vit kalendarik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore