Lajme

S’ka më sekrete, Gabriel Escobar i tregon të gjitha


Ilustrim; Gabriel Esocbar

Gabriel Escobar, Miroslav Lajçak e Albin Kurti nuk janë marrë vesh në takimin e mbyllur që kishin të hënën mbrëma, prandaj i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur të bëjë publike se si është konkretisht situata – dhe situata s’është e mirë fare, referuar deklaratës për gazetarë të top-diplomatit.

Kurti nuk është bashkëpunues dhe po e bllokon procesin, SHBA, BE dhe i gjithë spektri trans-atlantik janë të befasuar me të dhe s’po e kuptojnë nga po buron destruktiviteti i tij, afat ka veç dhe dy ditë dhe më pas mund të ndryshojë gjithçka, Qeveria e Kosovës e ka statutin e Asociacionit, por s’po e prezanton dhe pasoja për Kurtin, jo për popullin e Kosovës, do të ketë patjetër nëse deri të premten nuk ndryshon kursin.

Kjo është përgjithësisht ajo që Escobar u ka treguar kosovarëve në një transparencë të paprecedentë nga një diplomat.

Escobar ishte mjaft koncis në deklarimet e tij, ai siguroi kosovarët se nuk duhet të ndihen të shqetësuar për “çarjen” e raporteve të shkaktuara nga vendimet të pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës meqë “lidhja e fortë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Kosovën s’do të ndryshojnë dhe se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës”.

Escobar, i cili tha se është totalisht konfuzë me atë që është duke ngjarë në Veri të Kosovës javëve të fundit, bëri të ditur se Uashingtoni ka disa sfida në raport dypalëshe me një emër të përveçëm (Albin Kurtin) i cili, sipas tij, “nuk ka instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”.

“Shpresoj se njerëzit e kuptojnë se çfarëdo vështirësisë që jemi duke pasur me kryeministrin aktual nuk e afektojnë atë raport dhe atë ndjenjë. Por kemi sfida në raportin bilateral sa i përket kryeministrit”, potencoi Escobar.

Escobar ka pohuar se Amerika po qëndron me Kosovën, por s’ka pse qëndron me kryeministrin Albin Kurti, i cili refuzon të bashkëpunojë.

“Po shohim zgjedhjet që po bëhen (nga qeveria e Kosovës) përkundër partneritet tonë, dhe kjo është sinjal për ne. Ne qëndrojmë me njerëzit e Kosovës, por s’kemi pse qëndrojmë me një individ që s’do të bashkëpunojë. Jemi krejtësisht konfuzë se pse ndodhi kjo? Pse kjo mungesë koordinimi, pse kjo mungesë vizioni dhe fleksibiliteti dhe pse kundër që të lëvizet përpara”.

Escobar i habitur ka mbetur me insistimin e Qeverisë së Kosovës, që me doemos, të dërgojë kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistimin e Policisë së Kosovës, ani pse komuniteti ndërkombëtar ka apeluar që një gjë e tillë të mos ndodh.

“Ne thjesht po thoshim mos ta ndiznim situatën, edhe ashtu delikate dhe ishte një insistim kundër të shkuarit me çdo lloj force për kryetarët në ndërtesa. Kam qenë në qeverinë e SHBA-ve prejse jam 19 vjeçar, kam parë në SHBA duke u lënë ndërtesat qeveritare për 100 arsye, madje edhe për shkak të protestave, por kurrë askush nuk e vë në pikëpyetje legjitimitetin dhe autoritetin e qeverisë amerikane”.

“Pse këto ndërtesa, pse në këto kushte, pse pasi ua kërkuam koordinimin, pse pasi qëndruam pas tyre nuk u koordinuan, kjo do të thotë diçka për ne se si na shohin ne si partnerë, dhe kjo do ketë konsekuenca”.

Konsekuenca për Qeverinë e Kosovës, sipas Escobar, nuk do të ketë domosdoshmërisht vetëm nga SHBA-të, “por nga tërë komuniteti transatlantik”.

“Pra, nuk jemi vetëm ne, nuk janë vetëm 27 shtetet e BE-së, dhe SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar. Ne i shohim gjërat njësoj, ne jemi mbështetës. Po vjen prej diku tjetër. Dhe, po, mund të ketë një ndikim afatgjatë”, theksoi ai.

Escobar u lëshua edhe në përvoja personale kur tha se çfarë i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës për kryetarët e komunave, pra që të punojnë në ndërtesa alternative, është diçka që e kanë bërë edhe ata vetë në Amerikë.

“Mund t’iu tregoj një përvojë personale. Kam qenë duke punuar për qeverinë, në vitin 1991 kur ka pasur protesta në San Francisko dhe e kemi lënë ndërtesën e shtetit. Thjesht patëm lëvizur në një ndërtesë tjetër nga ku edhe vazhduam të punojmë. Kaq e thjeshtë!”, ka thënë Escobar.

Duke folur për situatën aktuale në Veri të Kosovës, top-diplomati tha se mënyra për të lëvizur përpara është propozimi i BE-së për shtensionimin e menjëhershëm, përfshirë edhe planin që kryetarët e rinj komunalë të mos punojnë nga objektet komunale në kohën kur tensionet janë të larta, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

Ai ishte mjaft i qartë kur deklaroi se nëse Kosova ia kthen shpinën Marrëveshjes Bazë, s’do të ketë viza, financime e stabilitet.

“BE-ja ishte e qartë se nëse e pranoni këtë Marrëveshje atëherë hapi drejt BE-së është shumë më i shpejtë, nëse e refuzoni nuk ka Evropë. Nëse ia ktheni shpinën kësaj marrëveshje, ia ktheni shpinën Evropës, me të gjitha pasojat që vijnë me të. Me gjithë stabilitetin, me gjithë mungesën e financimit, mungesën e lëvizjes së lirë. Kjo pra është! Shpresoj që nuk do të arrijmë aty”, potencoi diplomati i karrierës.

Nëse de-eskalimi i situatës në Veri nuk ndodh brenda dy ditëve sipas pikave të propozuara nga BE-ja e SHBA-të, Escobar tha se “kjo do të na jap sinjal që Kosova nuk është e interesuar të bashkëpunojë me ne, kjo do ishte fatkeqësi – në fakt jo Kosova, po kryeministri (na jep sinjal që nuk do të bashkëpunojë me ne)”, pohoi Escobar duke diferencuar Kosovën nga sjellja e Kryeministrit të saj.

Zyrtari i lartë i administratës amerikane u pyet edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën tha se është e “vetmja zgjidhje për Kosovën”.

Ai tha se nga Kosova në këtë fazë po kërkohet propozimi i një draft-statutit për këtë mekanizëm, draft-statut të cilën, sipas tij, zyra e kryeministrit e ka përgatitur, “por që thjesht nuk po duan të tregojnë” duke shpërfaqur kështu terrin-informativ që po dëshiron të krijojë Qeveria për këtë çështje.

“Duhet menjëherë ta prezantojnë draftin, tani. Menjëherë. Ata e kanë një draft, thjesht nuk duan ta tregojnë”.

Escobar gjatë fjalimit të tij prezantojë edhe këndvështrimin Amerikan për Asociacionin.

“Asociacioni është mënyra për të zbutur kontrollet e Serbisë në Veri dhe për ta vënë atë nën kontrollin e Kosovës, nën kushtetutën e saj nën strukturën ligjore, Asociacion është një mundësi për të ecur përpara, nuk e kuptoj pse dikush do ta shohë ndryshe, sepse Asociacioni në fund të ditës, nuk është një koncesion i domosdoshëm ndaj Serbisë, është njohje e nevojës së komuniteteve pakicë”, shpjegoi ai.

Escobar foli edhe për mungesën afatgjate të besimit në mes të serbëve lokalë dhe qeverisë aktuale, duke propozuar të pranishmëve të lexojnë letrën e shkruar nga serbët lokalë – që po dëshirojnë të integrohen në sistemin kosovar – drejtuar shteteve të QUINT-it.

“Aty nënvizohet fakti se si po ndihen serbët lokalë, se si Qeveria e Kosovës po i trajton ata si qytetarë të dorës së tyre, unë po ju inkurajojë ta lexoni atë letër, meqë letra tregon se situata nuk është bardh e zi, ata janë njerëz që po dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë dhe ata po luftojë që zëri i tyre të dëgjohet dhe kjo është një sfidë fondamentale për një demokraci multi-etnike”.

Ndonëse Escobar potencoi se qytetari i rëndomtë në Veri po dëshiron një jetë normale, politikanët e caktuar sipas tij po dëshirojnë të mbajnë Kosovën dhe Serbinë në një situatë krize, pasi kështu ata po ruajnë pushtetin e tyre.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë të ketë një konflikt përsëri, forcat paqeruajtëse janë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë në dy vende ku kemi sfidë të papajtueshmërisë etnike, ata të cilët janë partnerë me ne do të kenë mbështetjen tonë”.

Escobar ka folur edhe për zëra të ndryshme që mendojnë se SHBA-të ia bëjnë qejfin Serbisë, kur krejt çfarë ka bërë Uashingtoni zyrtar deri më tani është ta ndihmojnë Kosovën.

“Nuk e kemi raportin e njëjtë me Serbinë, siç e kemi me Kosovën. Serbia nuk është kandidat për NATO. Ne presim që Kosova të bashkëpunojë. Ndihmat financiare që i japim për ju tregon se ne kemi tjetër raport. Kjo s’do të thotë që s’e mbajmë Serbinë përgjegjëse. Ua kemi bërë të qartë se ata duhet të bashkëpunojnë, se duhet të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Escobar.

“Në ndërkohë, çka do që kemi bërë e ka ndihmuar Kosovën. Çdo pozicion i joni. Përnjëmend e gjej vetën të sfiduar të kuptoj se pse njerëzit po mund të mendokan se ne po ia bëjmë qefin Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore