Lajme

Escobar: Diskutimet për Asociacionin duhet të fillojnë – nëse jo, ne gjejmë partnerë alternativë


Gabriel Escobar

Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se menjëherë duhet të fillojë puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe.

I pyetur se çfarë pret nga shtyrja e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, ai theksoi se fillimisht duhet të nisin me urgjencë diskutimet për normalizim dhe se “deri në prill veçse t’i kemi të nisura diskutimet për Asociacionin”.

Madje, ai potencoi se nëse nuk e merr inciativën Qeveria, SHBA-të mund të zhvillojnë diskutime me “partnerë alternativë”.

“Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”.

“Është duke u dëmtuar biznesi, është duke u dëmtuar e ardhmja e të rinjve, të gjithë duan të shohin që këto dy shtete të ecin përpara”, shtoi ai.

Diplomati amerikan qartësoi se diskutimet për Asociacionin, duhet të jetë në agjendë gjatë diskutimit të radhës.

“Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës”.

Kosova ka garancinë e SHBA-ve, trupat serbe nuk kthehen në Kosovë

Duke komentuar pretendimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për kthimin e personelit serb në Kosovë sipas Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Escobar theksoi një gjë të tillë SHBA-të do ta kundërshtojnë në çdo rrethanë.

“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ndërkaq, i pyetur se si do veprohet nëse ndodhë një gjë e tillë, ai shpjegoi qartë qëndrimin e SHBA-ve karshi pretendimeve të tilla: “E para, këtë nuk e pres”.

“E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR”, shtoi ai.

Ndryshe, Escobar dhe Miroslav Lajçak, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, kanë nisur takimim me kryeministrin Albin Kurti në ndërtesën e Qeverisë për të folur mbi situatën aktuale në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogun me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore