Lajme

Erdogan premtoi një tranzicion paqësor nëse humbet zgjedhjet


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi të premten mbrëma se do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të së dielës dhe do të tërhiqej nëse humbte, duke adresuar shqetësimet se mund të mos largohej nga pushteti.

“Një pyetje shumë qesharake. Ne vijmë në pushtet me mjete demokratike në Turqi. Nëse kombi ynë vendos ndryshe, unë do të bëj atë që kërkon demokracia, nuk mbetet asgjë tjetër për të bërë”, tha Erdogan në televizion të premten vonë kur u pyet nëse do të dorëzonte pushtetin, transmeton Reuters.

Blloku i tij do të respektojë “çdo rezultat që vjen nga kutitë e votimit”, shtoi Erdogan.

Nëse opozita është e shqetësuar për sigurinë e zgjedhjeve, ajo duhet të monitorojë të gjitha qendrat e votimit dhe të “sigurojë sigurinë” ashtu siç bëjnë anëtarët e partisë së Erdoganit, tha ai.

“Vullneti i kombit nuk duhet të komprometohet”, vijoi Erdogan.

Presidenti turk tha gjithashtu se ai beson se do të rizgjidhet për një mandat tjetër dhe do të sigurojë një shumicë parlamentare të dielën.

Pas 20 vjetësh në krye të Turqisë, Erdogan përballet me provën e tij më të ashpër zgjedhore mes protestave publike për vështirësitë ekonomike, trajtimin e tij të pasojave të tërmeteve masive të shkurtit dhe rreth 3.5 milionë refugjatë sirianë.

Kandidati i opozitës së bashkuar, Kemal Kilicdaroglu, është pak përpara Erdoganit sipas sondazheve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore