Lajme

Enver Hoxhaj për Vjosa Osmanin: Nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votimin e Vjosa Osmanit për presidente dhe se qëndrimi i PDK-së është i qartë për mos votimin e Osmanit.

“Për çështjen e zgjedhjes së znj. Osmani si presidente e vendit, ne si PDK nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim”, ka thënë Hoxhaj në një konferencë për medie.

Po ashtu, Hoxhaj ka drejtuar edhe kritika ndaj Vjosa Osmanit, e cila sipas tij ka pasur rol përçarës.

“Ajo më së paku përfaqëson vullnetin e elektoratit të PDK-së, më shumë ishte figurë polarizuese dhe përçarëse në raport me qytetarët e Kosovës por edhe në raport me ish-subjektin e saj politik”, ka thënë Hoxhaj.

Këtë deklaratë, Hoxhaj e bëri pas takimit të tij me zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin.

Tema kryesore e këtij takimi të përbashkët ishte kërkesa për të marrë pjesë në procesin e regjistrimit civil, të gjithë shqiptarët në diasporë.

“E gjithë diaspora shqiptare nga Kosova, do duhej të jenë në mbështetje dhe të japin kontributin e tyre që sa më shumë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut të regjistrohen në procesin e regjistrimit civil, i cili është proces teknik dhe i rëndësishëm politik”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa Artan Grubi, theksoi se regjistrimi i popullsisë ka filluar me një mars të këtij viti.

“Prandaj t’i ndihmojmë të gjithë shqiptarët në diasporë që të regjistrohen për arsye se rritja e numrave është jetike për zbatimin e të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, tha Grubi.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet me 22 mars. Për konstituimin e këtij organi duhen minimalisht 61 vota nga 120 deputetë sa ka kuvendi. Me shumicë të thjeshtë mund të zgjidhet edhe Qeveria e Kosovës.

Ndërsa për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës duhet të ketë 80 deputetë prezentë në sallën plenare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 13 mars ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka marr 50.28 për qind të votave.

Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Lista Srpska ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore