Sport

Emiratet e Bashkuara Arabe presin një Kupë Bote në 2022


Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) do të jenë vendi organizator i Kupës së Botës për Klube në vitin 2022. Njoftimi zyrtar erdhi nga kreu i FIFA-s, Gianni Infantino.

EBA ka organizuar edhe më parë edicione të Kupës së Botës për Klube. Përkatësisht në vitet 2009, 2010, 2017 dhe 2018.

“Gjatë Këshillit të sotëm u përcaktua se Kupa e Botës për Klube do të luhet në Emiratet e Bashkuara Arabe në muajt e parë të vitit 2022, me datën që ende nuk është përcaktuar”, tha Infantino.

“Nuk do të mbahet më në Japoni pas tërheqjes për shkak të pandemisë. Emiratet tashmë e kanë pritur turneun disa herë”, shtoi kreu i FIFA-s.

Një Kupë Bote për Klube e përbërë nga 24 skuadra duhet të debutonte këtë vit në Kinë, por pandemia pengoi zhvillimin e projektit. FIFA nuk ishte në gjendje të mblidhte fondet e nevojshme për ngjarjen e planifikuar për t’u zhvilluar çdo katër vjet.

Vendimi në fuqi është që Kupa e Botës të luhet me shtatë skuadra. Gjashtë do të jetë fitueset kontinentale dhe një do të jetë skuadra që ka fituar kampionatin në vendin pritës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore