Lajme

Emiratet dhe Egjipti po përgatiten të “koordinojnë” evakuimin e Rafahut me Izraelin


Ushtria izraelite po planifikon një operacion evakuimi nga Rafah-u, një qytet i vendosur në jug të Rripit të Gazës, që do të zgjasë dy deri në tre javë.

Ai po kryhet në koordinim me Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin.

Kjo të paktën është bërë me dije nga një raport i publikuar të hënën nga Wall Street Journal (WSJ), i cili citonte zyrtarë të paidentifikuar egjiptianë të cilët ishin informuar mbi planin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ushtria izraelite planifikoi t’i zhvendoste palestinezët e mbledhur në Rafah në “enklava humanitare”, të cilat do të ndërtoheshin në Rripin e Gazës dhe do të furnizoheshin me ushqim dhe ujë.

Ata gjithashtu do të pajisen me strehimore dhe struktura për të ofruar shërbime mjekësore, gjithmonë në baza ditore.

Sipas zyrtarëve egjiptianë, Izraeli po përgatitet të zhvendosë civilët nga Rafah në Khan Yunis, një qytet tjetër kyç në Gazën jugore, dhe zona të tjera, ku planifikon të ngrejë strehëza çadrash, qendra shpërndarjeje ushqimore dhe objekte mjekësore.

Orari i saktë i operacionit mbetet i pasigurt, pasi varet nga nevoja që shteti hebre të forcojë së pari praninë e tij ushtarake në rajon.

Sipas korrespondentëve të kanalit të Katarit “Al-Jazeera” në terren, zyrtarët ushtarakë izraelitë besojnë se çrrënjosja e batalioneve të fundit të Hamasit kërkon një pushtim të Rafah-ut, ku afro 2 milionë palestinezë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre nga ofensiva izraelite.

Megjithatë, prioritet i jepet objektivave strategjike afatgjata të Izraelit, si kontrolli i korridorit përgjatë kufirit midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës, i cili konsiderohet vendimtar, sipas Wall Street Journal.

Korridori, një brez 13 kilometrash, ka lehtësuar historikisht kalimin e armëve dhe kontrabandës në Gaza, duke mbështetur kështu Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura.

Edhe pse Izraeli u tërhoq nga korridori në vitin 2005, ai pohon se kontrolli i zonës është thelbësor për sigurinë e tij.

Bashkëpunimi me Egjiptin është thelbësor për shkak të natyrës së ndjeshme të veprimeve izraelite në Rripin jugor të Gazës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore