Lajme

Emigrantët afganë – të rrëmbyer dhe të torturuar – në kufirin Iran-Turqi


Afganët që përpiqen t’u shpëtojnë talebanëve po rrëmbehen dhe torturohen nga bandat teksa kërkojnë të kalojnë kufirin midis Iranit dhe Turqisë në rrugën e tyre për në Evropë.

Kështu ka zbuluar një hetim i medias britanike “BBC”, duke treguar se pas kësaj, bandat dërgojnë video të abuzimit te familjet e emigrantëve që mbahen peng dhe kërkojnë shpërblim për lirimin e tyre.

“Kushdo që e shikon këtë video, unë jam rrëmbyer dje, ata kërkojnë 4 mijë dollarë për secilin prej nesh. Na rrahin ditë e natë pa pushim”, ka thënë një burrë, me buzët e gjakosura, me fytyrën të mbuluar nga pluhuri.

Një tjetër video tregon një grup burrash plotësisht të zhveshur, duke u zvarritur në dëborë dhe dikush i godet nga pas.

“Unë kam familje, mos ma bëni këtë, kam grua dhe fëmijë, ki mëshirë, të lutem”, thotë mes lotësh një burrë, pak para se të filmohet duke u abuzuar seksualisht me thikë nga një prej bandave.

Këto video shqetësuese janë dëshmi e një sipërmarrjeje kriminale në rritje, në të cilën bandat në Iran rrëmbejnë kryesisht emigrantë afganë që përpiqen të shkojnë në Evropë.

Rruga e migrimit nga Afganistani në Iran, më pas përtej kufirit në Turqi dhe në pjesën tjetër të Evropës, është përdorur për dekada.

Por rruga tani është më e rrezikshme se kurrë.

Ata që përpiqen të kalojnë nga Irani në Turqi ecin për orë të tëra në një terren të thatë malor pa pemë për të siguruar hije, duke e bërë më të vështirë shmangien e forcave të sigurisë që patrullojnë zonën.

Teksa qindra mijëra janë larguar nga Afganistani që kur talebanët morën pushtetin në gusht 2021, bandat kanë parë një mundësi për të përfituar nga rritja e madhe e numrit të njerëzve që bëjnë këtë udhëtim.

Shpesh në bashkëpunim me kontrabandistët, ata po rrëmbejnë njerëz në anën iraniane të kufirit, duke zhvatur para nga grupet e cenueshme që shpesh kanë paguar tashmë shuma të mëdha për të siguruar kalimin e sigurt.

Ekipi i “BBC”-së dëgjoi histori torturash nga të paktën 10 vende përgjatë kufirit.

Një aktivist që ka dokumentuar abuzimin për tre vitet e fundit ka treguar se merrte deri në dy ose tre video të torturave në ditë.

Amina pati një karrierë të suksesshme si oficere policie në Afganistan, por u largua nga vendi kur kuptoi se talebanët do të rimerrnin pushtetin, pasi kishte marrë kërcënime më parë nga grupi.

E mbuluar me shaminë ngjyrë vjollce, ajo ka treguar përvojën e saj në kufi, kur ajo dhe familja e saj u morën peng nga një bandë.

“Isha shumë e frikësuar, isha e tmerruar, sepse isha shtatzënë dhe nuk kishte mjek. Kishim dëgjuar shumë histori për përdhunimin e djemve të rinj”.

Babai i saj Haji ka treguar se banda i dërgoi atij një video që tregonte torturimin e një burri të panjohur afgan pasi kishin rrëmbyer Amina-n dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij.

“Kjo ishte situata në të cilën ndodhesha. Duke dërguar këto video ata më paralajmëronin. Nëse nuk paguani shpërblimin, do të vrasim vajzat dhe dhëndrin tuaj”, ka treguar ai.

Ai shiti shtëpinë e tij në Afganistan për të paguar bandën dhe për të liruar familjen e tij. Më pas ata u përpoqën përsëri të futeshin në Turqi, këtë herë me sukses.

Por kalvari tetë ditësh në kufi ishte i tepërt për Amina-n.

Ajo humbi fëmijën e saj.

Përveç bandave, ajo dhe të tjerët përballen me një pengesë tjetër të madhe përgjatë rrugës së tyre: Murin.

Duke gjarpëruar më shumë se gjysmën e gjatësisë së kufirit turko-iranian, ai qëndron tre metra i lartë dhe është i fortifikuar me tela me gjemba dhe sensorë elektronikë dhe kulla vrojtimi nga Bashkimi Evropian (BE).

Turqia filloi ndërtimin e murit në vitin 2017 për të ndaluar emigrantët të kalojnë në vend, por ata ende shkojnë.

Amina dhe disa të tjerë ranë në duart e bandave të dhunshme nga pala iraniane pasi autoritetet turke i kishin shtyrë ata të rikthehen gjatë natës përtej kufirit, akuza të cilat janë dokumentuar edhe nga grupet ndërkombëtare të të drejtave.

Mahmut Kagan, një avokat turk për të drejtat e njeriut që përfaqëson azilkërkuesit, këmbëngul se kjo praktikë, e cila është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, po i ndihmon bandat të shfrytëzojnë njerëzit.

“Kjo është shumë e lidhur me kundërpërgjigjet sepse krijon një grup të brishtë të hapur ndaj të gjitha formave të abuzimeve”, ka theksuar ai.

Përballë akuzave të ngjashme nga grupet e të drejtave të njeriut, qeveria ka mohuar kundërshtimet, duke thënë se çdo aktivitet për të parandaluar hyrjen e paligjshme në Turqi kryhet brenda fushës së menaxhimit të kufirit.

Para se të ndërtohej muri, shumë vendas e siguronin jetesën duke kontrabanduar mallra përtej kufirit. Kjo tregti është zhdukur kryesisht tani, që do të thotë se disa kanë kaluar në rrëmbimin ose trafikimin e emigrantëve.

Në Van, qyteti më i afërt turk me kufirin iranian dhe një qendër për trafikimin e emigrantëve, qëndron Ahmed në një stallë të ripërcaktuar si një strehë sigurie.

Vëllai i tij u rrëmbye në anën iraniane të kufirit me familjen e tij të gjerë kur ata u përpoqën të largoheshin nga talebanët vitin e kaluar.

Ishte Ahmed-i, atëherë ende në Afganistan, ai që mori telefonatat nga banda që kërkonin një shpërblim.

“Unë thashë se nuk kemi para, rrëmbyesi po rrihte vëllain tim. Ne e dëgjonim atë”.

Ahmed-i shiti gjërat e familjes së tij për të paguar për lirimin e tyre. Por përvoja nuk ishte e mjaftueshme për ta ndaluar atë të provonte të njëjtin udhëtim gjashtë muaj më vonë, i dëshpëruar për të siguruar jetesën pas krizës ekonomike që pasoi pushtimin e talebanëve.

Në kryeqytetin afgan Kabul, Saidin-it iu deshën gjashtë përpjekje të dështuara për t’u arratisur nga Afganistani dhe për të arritur në Turqi.

Atij i ishte premtuar një dokument fals që do ta lejonte të kalonte në Turqi. Në vend të kësaj, ai u tradhtua nga kontakti i tij dhe u shit te një bandë, e cila e torturoi dhe i kërkoi një shpërblim prej 10 mijë dollarësh.

“Isha shumë i frikësuar. Mund të më bënin gjithçka. Të më nxirrnin sytë, të më shisnin veshkat, të më hiqnin zemrën”.

Por ai kishte frikë të humbiste më shumë, pasi dëgjoi bandën duke diskutuar se si mund ta përdhunonin dhe t’ia dërgonin videon familjes së tij.

Përfundimisht, ai u arratis pasi pagoi 500 dollarë.

Javë pas intervistës, Said ka kontaktuar ekipin e “BBC”-së për t’u treguar se ishte kthyer në lëvizje dhe kishte arritur përsëri në Teheran. Kjo, tetë muaj më parë -dhe nuk dihet më asgjë për të që atëherë.

Të tjerë që arritën në Turqi, si Amina, po përpiqen ta shikojnë të ardhmen me optimizëm.

“Nuk do të dorëzohem. E di që do të bëhem nënë. Unë e di që do të jem e fortë”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore