Lajme

“Elektroseveri” fton serbët e veriut të nënshkruajnë kontrata të rrymës me “kushte të favorshme”


Ilustrim

“Drustvo Elektrosever D.O.O” shpërndau disa broshura nëpër ndërtesa të banimit në pjesën veriore të Kosovës, duke u bërë thirrje qytetarëve serbë të nënshkruajnë kontrata për furnizim të mëtejshëm me energji elektrike, raportoi portali në gjuhën serbe “KoSSev” gjatë ditës, ndërsa gjithashtu u jepen udhëzime qytetarëve se si të kursehet energjia elektrike.

Fillimisht, kompania serbe njoftoi se për të siguruar furnizim të sigurt dhe stabil me energji elektrike për qytetarët e komunave veriore të Kosovës të banuara kryesisht me shumicë serbe – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – ata duhet të lidhin kontratë me “Elektroseverin”, duke shtuar se ka edhe furnizues tjerë me të cilët mund të lidhin marrëveshje.

Në veri nga 29 shkurti 2024 nisi shpërndarja e faturave të energjisë elektrike nga kopania serbe e licencuar nga autoritetet e Kosovës në qershor 2023. Faturat e rrymës lihen në kuti postare nëpër ndërtesa të banimit, por edhe te dyert e apartamenteve dhe parasheh një pagesë fikse minimale prej 21.60 euro. Në faturë thuhej se afati i pagesës është deri më 10 mars 2024.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi në fillim të këtij viti se në veri nisi regjistrimi i energjisë elektrike të shpenzuar, duke theksuar se rryma do të paguhet njësoj si në pjesën tjetër të territorit, pas kontratës komerciale midis kompanisë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe kompanisë serbe “Elektrosever”.

Nëse nuk nënshkruajnë me askënd, qytetarët në veri janë paralajmëruar: “KEDS me siguri do t’ju lejojë të përdorni shërbimet universale të furnizuesit të ofruara nga KESCO, me çmime më të larta. E nëse edhe pas 60 ditëve shtesë nuk lidhni kontratë me asnjë furnizues dhe nuk i paguani KESCO-s faturën për energjinë e shpenzuar – do të ketë ndërprerje të rrymës”.

Megjithatë, ashtu sikurse lexohet në broshurat e “Elektroserverit” që u shpërndanë të enjten, u kërkohet qytetarëve serbë që të lidhin kontratë me kompaninë serbe dhe nëpërmjet këtij veprimi, si dhe me shlyerjen e rregullt të obligimeve për energjinë e shpenzuar, do t’u mundësohet vazhdimi i furnizimit të besueshëm me energji elektrike me “kushte të favorshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore