Lajme

Ekuador, gjykata dekriminalizon abortin në rastet e përdhunimit


Protesta për të drejtat e abortit në Quito, Ekuador, 28 shtator, 2020

Gjykata e Lartë e Ekuadorit ka dekriminalizuar abortin në rastet e përdhunimit, të mërkurën e 28 prillit. Ky është cilësuar si një hap i rëndësishëm në një vend tradicionalisht katolik.

Gjykata Kushtetuese votoi 7-2 në favor të shpalljes antikushtetuese të dy neneve të Kodit Penal.

Me vendimin e gjykatës, aborti në të gjitha rastet e shtatzënisë, që rezultojnë nga përdhunimi, është dekriminalizuar.

Analistët thonë se gjykata tani mund të kërkojë reformën e Asamblesë Kombëtare të artikujve të shpallur antikushtetues.

Vendimi erdhi si përgjigje e një peticioni nga grupet e të drejtave të grave dhe hap rrugën që pjesë të tjera të legjislacionit të ndryshojnë.

Aborti mbetet një çështje thellësisht përçarëse në Amerikën Latine, ku vendet kanë ligje të rrepta që e ndalojnë aktin.

Vendet e vetme ku abortet janë aktualisht të ligjshme në rajon janë Argjentina, Uruguai, Kuba, Guiana dhe pjesë të Meksikës.

Sipas grupit të avokimit, Qendra për të Drejtat Riprodhuese, kjo lejohet vetëm në raste përdhunimi në disa vende, duke përfshirë Bolivinë, Brazilin, Kilin, Kolumbinë dhe Panamanë.

Legjislacioni aktual i Ekuadorit lejon abortin vetëm kur jeta e nënës është në rrezik ose pas përdhunimit të një gruaje me aftësi të kufizuara mendore.

Në vitin 2019, asambleja votoi kundër dekriminalizimit të abortit në të gjitha rastet e përdhunimit dhe anomalive të fetusit, në mes të kundërshtimit të fortë të Kishës Katolike Romake.

Aktivistët e pro-zgjedhjes festuan jashtë ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese në kryeqytetin, Quito.

Koalicioni Kombëtar i Grave të Ekuadorit, një grup i të drejtave të njeriut, tha se ishte një ditë “historike”, por se do të vazhdonte “të luftonte” që aborti të ishte i ligjshëm në të gjitha rrethanat.

Kishte gjithashtu disa demonstrata nga aktivistët anti-abort, të cilët kritikuan votimin. Konferenca e peshkopëve në Ekuador shprehu shqetësim në një letër drejtuar kreut të Gjykatës Kushtetuese.

Çfarë ndodh në Ekuador në rast se një grua aborton?

Gratë, që kryejnë aborte në Ekuador, përballen me tre vjet burg. Për shkak të kufizimeve, gratë dhe vajzat kërkojnë aborte të paligjshme dhe të pasigurta, të cilat mund të çojnë në komplikime shëndetësore dhe vdekje.

Sipas grupit të të drejtave Fundación Desafío, midis vitit 2008 dhe 2018, rreth 20 mijë vajza nën moshën 14 vjeç – mosha e pëlqimit në Ekuador – lindën në vend.

Si dhe një e katërta e të gjitha shtatzënive të atyre të moshës midis 15 dhe 19 vjeç ishin rezultat i përdhunimit.

Ndërkohë, 11 gra raportojnë raste të përdhunimit mesatarisht çdo ditë në të gjithë vendin.

Presidenti i zgjedhur Guillermo Lasso, një katolik konservator dhe një avokat pro jetës që merr detyrën më 24 maj, tha se ai kishte “respekt të plotë” për vendimin.

“Pavarësia e degëve të qeverisë dhe natyra laike e shtetit janë parime që nuk mund të negociohen”, tha ai në një deklaratë.

Në të gjithë Amerikën Latine, është rritur fushata pro-zgjedhjeve, e njohur si “vala e gjelbër”, bazuar në ngjyrën e veshur nga protestuesit.

Në janar Argjentina, një nga vendet më me ndikim në rajon, legalizoi abortin deri në javën e 14-të të shtatzënisë.

Disa vende të tjera i kanë ndaluar plotësisht abortet. Midis tyre janë Nikaragua, El Salvador dhe Honduras, ku parlamenti dha miratimin e tij fillestar për një projektligj që do ta bënte praktikisht të pamundur legalizimin e abortit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore