Shqipëria

Ekspozita për 102-vjetorin e organizimit të Kongresit të Lushnjës çel dyert për publikun


Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), në bashkëpunim me Galerinë e Artit Tiranë (GAT), ka prezantuar ekspozitën për 102-vjetorin e organizimit të Kongresit të Lushnjës.

Në një dalje të përbashkët për mediat, drejtori i DPA-së, Ardit Bido, dhe drejtori i GAT-it, Abaz Hado, u shprehën se ekspozita “Kongresi i Lushnjës”, vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vijueshëm, me qëllimin e paraqitjes së dokumenteve dhe fotografive origjinale të ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare.

“Është kënaqësi të prezantojmë një ekspozitë me dokumente origjinale për këdo që është i interesuar, në lidhje me një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë, Kongresin e Lushnjës, që ndikoi në themelimin e shtetit modern shqiptar”, tha fillimisht drejtori i DPA-së, Ardit Bido.

Më tej, ai u shpreh se këto ekspozita të tilla, organizohen shpesh nga DPA.

“Ato janë me dokumente origjinale, të cilat janë të pazëvendësueshme, pasi nëpërmjet tyre jo vetëm krijojmë idenë për veprimtarinë dhe ngjarjen e kohës, por edhe ‘shijen’ që përcillet përmes letrës apo fotografive, të cilat ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror”.

Bido u bën thirrje nxënësve, studentëve, të apasionuarëve pas historisë, si dhe njerëzve të zakonshëm, që duan të njohin të shkuarën përmes dokumentit apo fotografisë origjinale, të vijnë në një mjedis publik, siç është Galeria e Artit e Tiranës, që ndodhet në një nga rrugët më qendrore të kryeqytetit.

Nga ana tjetër, drejtori i GAT-it, Abaz Hado, u shpreh se, në kuadër të bashkëpunimit me DPA-në, parashihet nënshkrimi i një memorandumi dhe realizimi i ekspozitave të një trajte tjetër.

“Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Arkivin e Shtetit, sepse kemi një synim të qartë.

Sallat e AKT-së nuk ekspozojnë vetëm artin pamor, por edhe dokumente. Kemi rënë dakord që së shpejti të bëjmë një memorandum bashkëpunimi, kemi plane të tjera përveç ekspozitave të këtij karakteri.

“Do të bëjmë ekspozita edhe me fondin e pikturave që ka Arkiva e Shtetit. Ne jemi duke diskutuar”, tha ai.

“Janë vepra shumë të rëndësishme, të panjohura për publikun dhe do kenë fatin të ekspozohen për herë të parë në Galerinë e Tiranës”, vijoi Hado.

Disa prej dokumenteve të përzgjedhura në këtë ekspozitë ishin procesverbalet e secilës mbledhje të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me vendimet përkatëse, fotografitë e delegatëve të kohës, akti i caktimit të Tiranës si kryeqytet i përkohshëm, themelimi i Regjencës, si dhe fotografitë e personaliteteve kryesore që e përbënin atë.

Këto materiale mund t’i shihni në mjediset e Galerisë së Artit Tiranë të ekspozuara edhe për 5 ditë, deri më datë 1 shkurt 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore