Lajme

Ekspozimi: Politikanët evropianë të së djathtës në listën e pagave të Putinit


Një website lajmesh me bazë në Pragë, i mbështetur nga dy biznesmenë pro-rusë, ka paguar në mënyrë të fshehtë politikanë të së djathtës në vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën.

Kjo për të kthyer opinionin publik kundër mbështetjes për Ukrainën.

Zbulimi u bë nga një hetim i udhëhequr nga qeveria çeke.

Petr Fiala, kryeministri, tha të mërkurën se “Voice of Europe” dhe dy politikanë ukrainas pro-Kremlinit që e mbështesin atë – Victor Medvedchuk, një mik personal i Vladimir Putinit dhe Artem Marchevsky – ishin vendosur në një listë kombëtare sanksionesh.

Në këtë mënyrë do të ishte e pamundur që faqja të vazhdojë të funksionojë nga Republika Çeke.

“Ne ishim në gjendje të zbulonim aktivitetet e një rrjeti ndikimi të financuar nga Rusia në Republikën Çeke”, tha Fiala në një konferencë shtypi.

Sipas tij, Shërbimi i Informacionit të Sigurisë Çeke (BIS) zbuloi se rrjeti pro-rus po kryente aktivitete që “do të kishin një ndikim serioz në sigurinë e Republikës Çeke dhe të BE-së”.

“Ky grup u përpoq të kryente operacione dhe aktivitete në territorin e BE-së që synonin kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”, tha Fiala.

Më tej ai shtoi se “aktiviteti i grupit … arrin edhe në Parlamentin Evropian”.

Ndërsa politikanët evropianë që besohet se kanë marrë para nuk janë përmendur, gazeta çeke “Deník” ka cituar burime të inteligjencës duke thënë se janë nga Gjermania, Franca, Polonia, Belgjika, Holanda dhe Hungaria.

Ajo veçoi partinë e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si të përfshirë.

Sipas revistës gjermane të lajmeve “Der Spiegel”, paratë që arrijnë në disa qindra mijëra euro u dorëzuan në para të gatshme në takime personale në Pragë ose u transferuan duke përdorur kriptomonedha.

Partitë e krahut të djathtë në të gjithë Evropën kanë pasur prej kohësh lidhje me qeverinë ruse.

Në Francë, partia e Marine Le Pen mori një hua prej 6 milionë eurosh nga një bankë në Moskë një dekadë më parë, të cilën e pagoi vetëm vitin e kaluar.

Në vitin 2018, Putin kërceu me ministren e atëhershme të Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl nga Partia e Lirisë, në dasmën e saj.

Që atëherë ajo është zhvendosur në Shën Petersburg.

Megjithatë, zbulimi se Rusia po paguante politikanët për të përhapur propagandën pro-Kremlinit përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të fillonin më 6 qershor, do të përbënte një dimension të ri ndikimi.

“Voice of Europe” ka intervistuar politikanë nga partitë e ekstremit të djathtë, duke përfshirë ato nga le Pen, Vlaams Belang të Belgjikës dhe AfD të Gjermanisë.

Maximilian Krah, kandidati kryesor i AfD-së në zgjedhjet e BE-së, mohoi të ketë marrë para nga faqja e internetit.

Një herë ai i dha një intervistë video 45-minutëshe “ekskluzive” në të cilën pretendonte se Shtetet e Bashkuara qëndronin pas sabotimit të tubacioneve Nord Stream që transportonin gazin rus nën Baltik në 2022.

Petr Bystron, një anëtar i Bundestagut për AfD, (ai ka bërë gjithnjë p[propagandë kundër Kosovës – shënim i redaksisë), u intervistua nga gazeta në shkurt, ku ai akuzoi qeverinë gjermane për injorimin e interesave të fermerëve ndërsa dërgonte armë në vlerë miliarda euro në Ukrainë.

“Ka para për të vrarë njerëz në vende të tjera, por nuk ka para për fermerët tanë? Askush nuk e kupton këtë”, tha ai.

Sipas hetimeve të “Spiegel”, “Voice of Europe” u krijua në vitin 2017 dhe fillimisht ishte me bazë në Holandë.

Intervista e saj e parë ishte me populistin holandez Geert Wilders.

Ajo ka intervistuar gjithashtu ekstremistin e djathtë britanik, Tommy Robinson, dhe eksperten konservatore të medias amerikane, Ann Coulter.

Ajo u mbyll në fund të 2019-ës përpara se të rifillonte në vitin 2023, këtë herë me qendër në Pragë.

Adresa në direkun në internet çon në një bllok të zymtë apartamentesh në periferi të kryeqytetit çek, i cili me sa duket shërben si adresë postare për shumë kompani, raportoi “Spiegel”.

Një adresë tjetër në regjistrin tregtar çek çoi në një ndërtesë në qendër të qytetit, por nuk kishte asnjë shenjë të faqes së lajmeve në derën e përparme.

Një biznesmen polak i quajtur, Jacek Jakubczyk, bleu “Voice of Europe” në mars 2023.

Sipas “Spiegel”, ai dha një adresë në Varshavë që është gjithashtu adresa e një kompanie sigurie në pronësi të Jakubczyk.

Qeveria çeke pretendoi se faqja e internetit ishte “financuar fshehurazi” nga Medvedchuk, një biznesmen që drejtonte një parti politike pro-ruse në Ukrainë dhe po përballej me akuza për tradhti kur iu dorëzua Rusisë në vitin 2022 si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.

PutinI është kumbari i vajzës së Medvedchuk.

“Voice of Europe” besohet të jetë menaxhuar nga Marchevsky, një bashkëpunëtor i Medvedchuk.

Krah i AfD-së tha për “Spiegel” se kishte dhënë dy intervista për “Voice of Europe”, duke përfshirë një në Pragë.

“Sigurisht që nuk kam marrë para për këtë”, tha ai, duke shtuar se hotelin e kishte paguar vetë.

Ai tha se, e njihte Medvedchuk si edhe Marchevsky dhe pranoi se ky i fundit e kishte çuar në hotelin e tij me makinë pas intervistës, por këmbënguli se ai “asnjëherë nuk pranoi para ose përfitime me vlerë monetare” prej tyre.

“Voice of Europe” ende nuk ka komentuar mbi akuzat.

Në faqen e saj të internetit, ajo thekson se, ambicia e saj është të “thyejë flluskën e Brukselit”.

Llogaria e saj në Twitter/X e përshkruan veten si ofrues “lajme të pacensuruara të rrjetit për Evropën dhe botën”.

Postimi i tij i fundit të mërkurën pretendonte se të huajt përbëjnë 100 për qind të sulmeve të rënda seksuale në Frankfurt.

Ndërkohë, qeveria gjermane ka njoftuar se po lançon një “sistem paralajmërimi dhe reagimi të hershëm” së bashku me Francën dhe Poloninë për të kundërshtuar dezinformimin e huaj”.

Marrë nga “The Times”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore