Sport

Ekskluzive: Mario Cortegana për Albanian Post – “Kalimi i Mbappe në Real Madrid është punë e kryer”


Emri më i përfolur në merkaton e kësaj vere dhe jo vetëm është pa dyshim Kylian Mbappe.

Tashmë, ky transferim që ngjason me një telenovelë, është futur në fazën finale, me të gjithë kartat ende të hapura.

Të martën në mbrëmje, Real Madrid-i dërgoi ofertën e parë në drejtim të Mbappe-s, në shifrën e 160 milionë eurove.

I pari i cili e bëri këtë lajm zyrtar, ishte Mario Cortegana, gazetar i tabloidit Goal.

Përmes një komunikimi në rrjetin social Twitter, Mario ka treguar për Albanian Post detaje të tjera rreth kalimit potencial të francezit.

“Ëndrrat nuk mund të blihen”, filloi ai.

“PSG mund t’i ofroj Mbappe-s dyfishin e asaj që do t’i ofrojë Real Madrid-i, por ai nuk e ka menduar qëndrimin as edhe një herë”, u shpreh Cortegana, “gjithmonë e ka dashur vetëm Real Madrid-in, vetëm ata”.

Sa i përket ofertës, ai thotë që është bërë të dielën.

“Ka dy ditë që është dërguar si ofertë, por privatësia që dy klubet po mbajnë rreth kësaj çështje është e madhe, prandaj edhe komunikimet në media vijnë me vonesë”.

Disa media franceze thanë që PSG ka refuzuar ofertën e parë, por Cortegana e cilëson si “të pavërtetë”.

“Ata janë duke e shqyrtuar”, thotë ai, “në Paris janë të vetëdijshëm që pas 130 ditësh mund ta humbasin Mbappe-n pa asnjë cent, është e pamundur që të lëshojnë këtë mundësi të artë që iu është shfaqur”.

Sa i përket mundësisë që Real Madrid-i të rrisë ofertën, Mario shprehet që “nuk është e pamundur”, por “nuk do të ndodhë”.

“Është e gjitha një lojë”, shton gazetari i Goal, “Real Madrid-i e di që ka avantazhin, e di që është në pozitë të mirë. Ata e bënë një ofertë të parë marramendëse thjesht për t’i treguar Paris-it se munden”.

Mesazhi i Perez për emirët e Katarit është një, “unë udhëheq këtu. Ky është futbolli, dhe unë jam kryetari i këtij sporti”.

Edhe në rast se PSG nuk heq dorë dhe e mbanë Mbappe-n këtë verë, Perez do t’i konsiderojë këto tratativa si “fitore”.

Sipas Mario-s, ai iu është drejtuar shokëve të tij te Real Madrid me një ton shumë të fortë, duke thënë, “ne kemi fituar, nëse ata nuk e shesin Mbappe-n këtë verë, ne do ta marrim lojtarin më të mirë të dekadës së ardhshme për zero euro”.

“Por”, shton Mario, “do të ndodhë këtë verë”.

“Është punë e kryer”, thotë ai, “gjithçka është në fazat përfundimtare dhe fundjavën e shoh si momentin e duhur për të bërë zyrtarizimin”.

“Perez veproi mençur. Së bashku me ekipin e tij, ata punuan për dy vjet që këtë transferim ta mbyllin në mënyrën më të mirë, në mënyrë që të gjithë palët të dalin të kënaqura”.

Mario, korrespondent i Goal për klubin madrilen, njëkohësisht edhe tifoz i klubit, për fund ka një mesazh, duke thënë: “Epoka e re në Madrid po fillon, Real-i po kthehet, më i fortë se asnjëherë më parë”.

Cortegana edhe më parë qe intervistuar nga Albanian Post, duke treguar detaje ekskluzive rreth Raphael Varane, që më pas dolën të jenë të sakta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore