Lajme

Edtstadler: BE-ja ende pa një vendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim


Karoline Edtstadler

Ministrja për Bashkimin Evropian (BE) dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edtstadler, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka bërë thirrje sërish për avancimin e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor, derisa ka shtuar se përkundër se Kosova ka dorëzuar aplikimin në dhjetor të 2022-ës, akoma nuk është marrë ndonjë vendim nga ana e BE-së.

“Kosova ka dorëzuar aplikacionin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor 2022 – ende pa ndonjë vendim nga ana jonë se si do të procedohet me të. Nuk ka dyshim se shumë nga arsyet e kësaj situate qëndrojnë tek vetë gjashtë shtetet”, ka shkruar ministrja austriake, duke iu referuar problemeve të pazgjidhura në Kosovë, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.

“Reformat e nevojshme janë ende të pazgjidhura dhe problemet kryesore mbeten ende të pazgjidhura. Por në fund të fundit, procesi i zgjerimit është gjithashtu një çështje se çfarë japë dhe çfarë marrë. Ndryshimet me shtrirje të gjerë kërkojnë motivim dhe vullnet politik”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Edtstadler ndër të tjera ka theksuar se në shumë vende të rajonit, qytetarët nuk besojnë në mundësinë reale të anëtarësimit në BE dhe janë afruar më shumë me narrativat e Rusisë apo Kinës, ndërsa BE-ja, sipas saj, duhet të marrë drejtimin në Ballkanin Perëndimor dhe t’i japë një vrull të ri proceseve të anëtarësimit paralelisht me reformat e vendeve kandidate.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë eurosh dhe akses në tregun e brendshëm evropian në fusha të caktuara.

Austria kërkon njohjen e Kosovës nga 27 shtetet anëtare të BE-së dhe konferencë të anëtarësimit me Shqipërinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore