Kosova

Austria kërkon njohjen e Kosovës nga 27 shtetet anëtare të BE-së dhe konferencë të anëtarësimit me Shqipërinë


Karoline Edtstadler

Ministrja për Bashkimin Evropian (BE) dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edtstadler, në një letër publike drejtuar Komisionit Evropian (KE), ka bërë thirrje sërish për avancimin e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor, derisa ka listuar pesë pika të cilat duhet t’i ndjekë BE-ja për të përmbushur premtimet e saj ndaj rajonit.

E njëra ndër pikat e ministres austrike për avancimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, përveç organizimit të konferencës së anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fillim të vitit 2024, duhet të jetë edhe njohja e Kosovës nga të gjitha 27 shtetet anëtare sa më parë dhe dhënia e statusit kandidat para zgjedhjeve të BE-së.

Në letrën e saj drejtuar KE-së, ajo ka theksuar se nëse Evropa dëshiron t’i kthejë fjalët e saj të solidaritetit me Ballkanin Perëndimor në veprim, ajo duhet të synojë pesë pika, ku përfshihen edhe hapja e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë dhe Hercegovinën në vitin 2023 dhe progres konkret me Malin e Zi dhe Serbinë para zgjedhjeve të BE-së.

“Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë iu është premtuar një e ardhme në BE 20 vjet më parë. Çfarë ka ndodhur që atëherë? Pak. Negociatat e anëtarësimit janë hapur me katër vende, por të katërtat janë në një bllokim virtual”, ka theksuar ministrja austriake, derisa ka kujtuar ngecjet në këtë drejtim.

“Progresi drejt afrimit duhet të jetë në interesin qendror gjeopolitik të unionit. Megjithatë, burokracia e tepruar dhe vonesat e mëtejshme në negociatat e anëtarësimit nga shtetet anëtare të veçanta kanë efektin e kundërt dhe e dobësojnë BE-në në përgjithësi”, ka shtuar ajo.

Letra e ministres austrike vjen në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-se deri në vitin 2030. Kosova e ka dorëzuar aplikacionin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Bosnje-Hercegovina ka marrë statusin e kandidatit në fund të 2022-ës, kurse Shqipëria është aktualisht lidere për sa i përket anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore