Lajme

“Edhe për katër javë, komunikimi në Tonga do të vijojë i kufizuar”


Një kabllo kryesore nënujore, e cila u shkatërrua pas shpërthimit të vullkanit nënujor në Tonga, “mund të marrë të paktën katër javë për t’u riparuar”.

Ka qenë ky njoftimi i Ministrisë së Jashtme të Zelandës së Re.

Nga shkëputja e kabllos, komunikimi në ishullin e Paqësorit me botën e jashtme u ndërpre.

Shpërthimi shkaktoi gjithashtu një cunami, i cili la të paktën tre të vdekur, duke përfshirë një shtetase britanike.

Ekipet kanë punuar për të marrë furnizime jetike në rajon.

Tonga nuk ka qenë në gjendje të krijojë kontakte me pjesën tjetër të botës, qëkur shpërthimi i madh i së shtunës ndau kabllon e vetme nënujore në dy pjesë.

Që nga ky moment, komunikimi ka qenë i pakët, vetëm nëpërmjet disa telefonave satelitorë, të cilët mbahen kryesisht nga ambasadat e huaja në kryeqytetin Nuku’alofa.

Firma e telekomunikacionit Digicel pritet të krijojë një lidhje të përkohshme 2G, që i jep përparësi komunikimit zanor dhe SMS, tregon deklarata.

Gjithsesi, lidhja pritet të jetë e “kufizuar dhe e copëtuar”, duke mbuluar rreth 10% të kapacitetit të rregullt.

Kjo nuk është hera e parë që dëmtohet kablloja e vetme nënujore e Tonga-s.

Një periudhë e keqe e motit në vitin 2019 shkaktoi dëme të papritura në kabllo, duke shkaktuar një ndërprerje pothuajse totale të shërbimeve celulare dhe të internetit për 100 mijë banorët në ishull.

Më 18 janar, përpjekjet për të dërguar ndihma në Tonga, janë penguar për shkak të hirit që ka mbuluar pistën, nga shpërthimi i vullkanit dhe cunamit të shtunën e 15 janarit.

Zelanda e Re u përpoq të dërgojë ujë të pijshëm të pastër dhe furnizime të tjera, por avionët nuk mund të ulen në aeroportin kryesor.

Disa nga ishujt e vegjël periferikë të Tonga-s kanë pësuar dëme të konsiderueshme, thonë agjencitë e ndihmës.

Një vullkan nënujor shpërtheu të shtunën, duke mbushur Tonga-n me hi dhe duke shkaktuar një cunami.

Tonga përbëhet nga më shumë se 170 ishuj të shpërndarë në një zonë të Paqësorit Jugor, afërsisht me madhësinë e Japonisë.

Më shumë se 100 mijë njerëz jetojnë në Tonga, pjesa më e madhe e tyre në ishullin kryesor të Tongatapu.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) raportoi dëme të mëdha në plazhet perëndimore të Tongatapu.

Në kryeqytetin Nukuʻalofa, Komisioni i Lartë i Zelandës së Re tha se, përveç bregdetit, zona është kryesisht e padëmtuar.

Megjithatë, ka shqetësime për grupin e ishujve Ha’apai, i cili shtrihet në veri të Tongatapu.

Fluturimet e vëzhgimit treguan një fshat të tërë të shkatërruar në një ishull dhe ndërtesa të rrafshuara në një tjetër.

Zëvendësshefi i misionit të Tonga-s në Australi, Curtis Tu’ihalangingie, i tha Reuters se fotot ishin “alarmante”.

“Ndoshta do të ketë më shumë vdekje dhe ne vetëm lutemi që të mos jetë kështu”, tha ai.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore