Lajme

Edhe një i vdekur në vendin e punës


Foto: Albanian Post

Edhe një punëtor 38 vjeçar ka vdekur teksa ishte duke punuar në një ndërtesë që ishte në punim të sipër në Bresje të Fushë Kosovës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi për media për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 11:00 është marrë informata se në rrugën “Tahir Zemaj” në Bresje të Fushë Kosovës, një person, mashkull, rreth 38 vjeç, ka rënë nga lartësia, brenda një objekti.  Përkundër përpjekjeve të mjekëve në QKUK,  i njëjti pak kohë më pas, ka ndërruar jetë”.

“Në momentin e rënies, viktima ishte si pjesë e një ekipi që po kryente punime në atë objekt. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci për AP.

Në gjashtë muajt e fundit në Kosovë kanë vdekur 12 persona në vendin e punës, një rekord i zi ky qysh nga paslufta në Kosovë.

Vdekjet, që kanë ardhur për shkak të dështimit të kompanive të ndërtimit që të sigurojnë masat e duhura mbrojtëse për punëtorët, dënohen nga shteti me shifra qesharake.

Kompanitë ku punëtorët humbin jetën dënohen më së shumti deri 2 mijë euro.

Siguri më shumë nga punëdhënësit e reagim më të madh nga shteti kërkon tash e dy dekada Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPPSPK), por kot.

Partia Socialdemokrate (PSD), përmes një aksioni të mbajtur para Qeverisë së Kosovës kishte kërkuar llogari për vdekjen e 12 punëtorëve të ndërtimtarisë në vendet e punës brenda gjashtë muajsh.

Anëtarët e PSD-së në tokë kanë vendosur disa helmeta, e dorëza duke simbolizuar kështu punëtorët e vdekur të Kosovës.

12 të vdekur në vendin e punës për gjashtë muaj, rekord i zi që nga paslufta –një jetë “kompensohet” me 2 mijë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore